Negociatat, as vendet e BE-së nuk i zënë besë Komisionit Europian

Nëse do të ishin bazuar tek progres-raporti i Komisionit Europian, Shqipërisë do të kishte hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian qershorin e kaluar. Por edhe pse ekzekutivi i BE-së këmbëngul se qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase i “kanë bërë detyrat e shtëpisë”, vendet anëtare kanë refuzuar të hapin negociatat tre herë brenda dy viteve.

Eksperti i politikave të Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber thotë se jo vetëm Franca por edhe vendet e tjera të rajonit e kanë humbur besimin tek Komisioni Europian. Kjo sipas tij është edhe arsyeja përse asnjë nga vendet anëtare nuk i morën parasysh progres-raportet e Komisionit kur vendosën për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor.

Loading...

Sipas tij, jo vetëm që anëtarësimi në Bashkimin Europian është bërë më i largët, jo vetëm për Tiranën dhe Shkupin, por ka zbehur edhe shpresat e vendeve në rajon.

“Fakti që vendet anëtare si Franca, nuk mund të bien dakord të mbështesin gjykimin e Komisionit Europian i cili ishte i bindur në fillim të këtij viti se si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria i plotësonin kriteret për hapjen e bisedime, është ndër krizat më të rënda me të cilat është përballur BE-ja. Franca dhe Holanda e bënë të qartë se qeveritë e vendeve anëtarë nuk besojnë në punën dhe vlerësimin e Komisionit për dy vendet”, shkruan Bieber.

Florian Bieber, Gazeta Si, 4 nëntor 2019

Ai është një nga ekspertët me të njohur europianë për Ballkanin Perëndimor dhe është autor i dhjetëra librave dhe artikujve që lidhen me rajonin. Në një intervistë me gazetën “Si”, në gusht, eksperti do të fajësonte të gjitha palët politike në Shqipëri, për krizën në të cilën ndodhet vendi, duke i thënë gazetës se qeveria nuk ka ditur si ta trajtojë krizën në vend, ndërkohë që sipas tij opozita ka treguar se është e gatshme të rrezikojë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Bieber argumenton se me shtyrjen e negociatave, BE-ja ia ka bërë të qartë qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut se nuk duhet të presin më ndihmë nga “të huajt”.

“Tani mesazhi nga Brukseli është i qartë: Ju jeni të vetëm”, shkruan Bieber. Mund të jetë e dhimbshme, dhe sigurisht nuk është mesazhi për të cilin kishin shpresuar, por mund t’i shtyjë të dyja qeveritë që kërkojnë të përmirësojnë mënyrën e drejtimit të vendit të tyre”, thekson eksperti.

Sipas tij, Macron ka të drejtë kur thotë se procesi i negociatave duhet të ndryshojë, në mënyrë që të luftojë kapjen e shtetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për BE-në, ky mund të jetë momenti që të përqendrohet në gjetjen e mjeteve për t’u marrë me autokratët që udhëheqin rajonin, të cilët nuk heqin dorë nga kontrolli i institucioneve kombëtare. Komisioni e identifikoi këtë si një problem vitin e kaluar, por ka qenë shumë i ndrojtur në përpjekjen e tij për t’u marrë me të, duke zgjedhur ta bëjë procesin e zgjerimit më kompleks”, argumenton Bieber.

Vala e madhe e protestuesve që kanë mbërthyer përgjatë vitit të kaluar Ballkanin, nga Tirana në Beograd dhe deri në Podgoricë, ka bërë që shumë ekspertë të politikave të rajonit të tregojnë problemin më të madh me të cilin përballen sipas tyre qytetarët rajonit: kapjen e shtetit.

Pamje nga protestat e opozitës me flamurin europian, Gazeta Si, 2019

“Sot, vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë elementë të qartë të kapjes së shtetit”. Me, këtë fjali Komisioni Europian mori për herë të parë guximin një vit më parë për të folur hapur kundër strategjive të liderëve rajonalë për të kontrolluar të gjithë mekanizmat demokratike të shteteve.

Në intervistën e dhënë për Gazetën Si, Bieber shprehej se BE-ja duhet të flasë me emra konkretë kur bie fjala për kapjen e shtetit në Ballkan. “BE-ja duhet të ndërmarrë hapa më të qartë dhe kritik drejt qeverive në rajon. Disa prej këtyre qeverie ndoshta janë të interesuara të përballen me kapjen e shtetit, por shumica janë pjesë e sistemit dhe përfitojnë prej tij. Këtu BE-ja mund të bëjë më mirë duke folur me emra konkretë dhe duke ofruar raporte kritike, përfshirë edhe dërgimin e misioneve të posaçme për sundimin e ligji”, i tha ai gazetës.

Retorika e Komisionit Europian në vitin 2018 ishte më e guximshme se zakonisht, veçanërisht, pasi deklaroi se problemi i kapjes së shtetit do të ndikonte në hyrjen e rajonit në BE. Sidoqoftë, ai nuk caktoi asnjë vend në mënyrë specifike, gjë që i mundësoi çdo qeverie të përjashtojë veten nga kjo shuplakë.

Për vite me radhë, burokratët e Brukselit kanë ngritur alarmin se kapja e shtetit pengon përparimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian dhe kërcënon të ardhmen e qytetarëve. Kapja e shtetit është forma më e lartë e korrupsionit e karakterizuar nga aleanca sekrete. Ai mund të shfaqet në dy forma: kapjen e korporatave shtetërore për përfitime private dhe kapjen e partive politike po për përfitime private.

Por a ka vdekur “ëndrra e anëtarësimit” për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe çfarë duhet të bëjë BE-ja për të forcuar demokracinë në rajon?

Sipas Bieber, edhe pse Macron ka shprehur dëshirën për të ndryshuar procesi e anëtarësimit, kjo detyrë nuk mund t’i lihet në dorë Francës, duke pasur parasysh se Parisi nuk e ka ndërmarrë deri më tani asnjë iniciativë konkrete kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mohegrini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, Gazeta Si, 4 nëntor 2019

“Qasja e bllokut ndaj Ballkanin Perëndimor ka kohë që mbështetet tek premtimi i pranimit në BE si nxitjen kryesore për ndërmarrjen e reformave ose zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura. Perspektiva e anëtarësimit në BE ishte një nxitje e fuqishme për disa nga vendet e rajonit. Por ajo gjithashtu largoi vëmendjen nga vetë problemi. Shumë shpesh, politika e jashtme e BE-së mbështetej në premtimin e anëtarësimit eventual si një lloj shërimi, në vend të një investimi real për fuqizimin e demokracisë dhe ekonomisë.

Pavarësisht angazhimit të dyanshëm, një pjesë e madhe e masave teknike dhe normative të zbatuara nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për hir të përparimit të vendeve të tyre drejt BE-së nuk kanë sjellë reforma thelbësore. Në të vërtetë, sipas Bieber, standardet demokratike të vendeve të rajonit mbeten po njësoj. Komisioni Europian është i vetëdijshëm dhederi më tani ka vendosur të bëjë një “sy qorr”.

Shumë ekspertë rajonalë thonë se Ballkani ka nevojë për një BE që nxjerr në pah publikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë problemet e rajonit. Ata thonë se kapja e shtetit nënkupton një gjendje të korrupsionit të përhapur dhe shfrytëzimin e burimeve publike për përfitime private, duke neutralizuar mekanizmat e kontrollit, qoftë me mjete ligjore qoftë në mënyrë të paligjshme.

Bieber thotë se gjashtë vendet e rajonit mund të gjejnë fusha specifike në të cilat ata mund të integrohen në BE, pa u anëtarësuar zyrtarisht në bllok. “BE-ja nga ana tjetër mund të mbështesë këto përpjekje me ekspertizë dhe projekte që lidhen me mjedisin ose infrastrukturën”, thotë ai. “Në këtë mënyrë, edhe nëse anëtarësimi rezulton të jetë një rrugë më e gjatë nga sa kishin shpresuar shumë, rajoni do të jetë më afër me standardet e BE-së. Vendet e rajonit në një moment mund ë të bëhen pjesë e zonës Shengen, ose Zonës Ekonomike Eiropiane. Në këtë mënyrë edhe anëtarësimi në BE gjithashtu do të bëhej më i lehtë dhe më i shpejtë, pasi edhe Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut do të ishin integruar gradualisht në strukturat e BE-së”, thotë ai.

Loading...
loading...
Back to top button
Close