Palmer: Nuk është reale që të pritet njohja e shpejtë e Kosovës nga Serbia

I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Matthew Palmer, ka thënë që nuk është reale që të pritet njohja e Kosovës nga Serbia në këmbim të heqjes së taksës, shkruan Gazeta Express. 

Sipas tij, problemi i njohjes nga Serbia nuk mund të vijë aq shpejt dhe aq lehtë, duke përmendur fillimisht disa punë të tjera që duhet kryer.

Loading...

“Nuk është reale. Problemi i njohjes nuk është diçka që vjen shpejt dhe lehtë për Kosovën. Njohja reciproke do të jetë një çështje shumë e vështirë për ta diskutuar. I vetmi vend ku ajo mund të arrihet, nuk janë as mediat, as gazetat e as televizionet, por tavolina e negociatave”, ka thënë Palmer në një intervistë për Radiotelevizionin e Vojvodinës, transmeton Gazeta Express. 

Tutje teksa ka folur për vazhdimin e dialogut, Palmer ka thënë se ka hapësirë për rinisjen e dialogut, duke i bërë Kosovës thirrje të heqë taksën dhe që Serbia të ndalë fushatën kundër njohjeve.

“Synimi i një dialogu të tillë është që të mbulojë një gamë të gjerë çështjesh dhe temash, që nga siguria, mbrojtja e trashëgimisë, të drejtat e minoriteteve, bashkëpunimi ekonomik dhe njohja reciproke”, ka thënë Palmer. 

Palmer ka shtuar se e kupton qëndrimin e Serbisë për të mos e njohur Kosovën, megjithatë thotë se pavarësisht asaj “për Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohja reciproke është zgjidhja ideale për normalizimin e raporteve”.

Siç shkruan Kosevv në këtë intervistë Palmer nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, e cila “nuk do të ishte plotësisht një njohje reciproke, por një e tillë që do të ishte më mirë sesa ajo që palët kanë aktualisht”.

“Sa për SHBA-në, rishikimi i statusit të Kosovës nuk është synim i negociatave. Synim i bisedimeve është të definohen elementet e një raporti normal ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Sa i përket SHBA-së, pozicioni ynë që njohje reciproke është zgjidhje ideale, sido që të jetë janë disa gjëra për të cilat palët mund të pajtohen më lehtë për momentin, dhe kjo do të ndihmonte në lehtësimin e situatës. Por kjo nuk më përket mua, u përket atyre të vendosin”, ka potencuar Matthew Palmer. 

Përveç kësaj, Palmer ka hedhur poshtë mundësinë e involvimit më të thellë të SHBA-së dhe idenë për ndarje apo shkëmbim të territoreve. 

Ai ka thënë se u takon palëve që të vendosin agjendën e bisedimeve.

“SHBA-ja është e interesuar për normalizim të raporteve dhe nuk do të imponojë ndonjë parametër për arritjen e marrëveshjes”, ka shtuar tutje emisari amerikan.

Megjithatë, ka thënë se mbështetja politike e SHBA-së për zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme, do të varet edhe nga fakti nëse Washingtoni e konsideron marrëveshjen si të mirë. 

“Ne nuk do ta aprovojmë marrëveshjen paraprakisht. Ne duam të shohim se çfarë do të nxjerrin ata si zgjidhje dhe pasta ta prezantojmë. Kështu që nëse kemi probleme specifike, do të bashkëpunojmë me palët për t’i rregulluar ato. Nëse të dy palët duan mbështetjen tonë, mbështetjen për zbatimin, dhe mbështetjen politike atëherë po, ne do të dëshirojmë që të arrihet një marrëveshje e mirë”, ka konkluduar tutje Palmer. /GazetaExpress/

Loading...
loading...
Back to top button
Close