Qeveria do të paguaj 120 milionë euro në 2020-n për koncensionet

Qeveria do të paguajë 14.6 miliardë lekë ose rreth 120 milionë euro vitin e ardhshëm për kompanitë koncesionerë.

Të dhënat e bëra publike në relacionin e projektbuxhetit tregojnë se krahasuar me këtë vit, fatura e koncesioneve do të rritet me rreth 18 për qind, për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja.

Loading...

Aktualisht qeveria shqiptare paguan nga buxheti 10 kontrata koncesionare. Për njërën prej tyre, atë të hidrocentraleve mbi lumin Devoll ky është viti i fundit i shlyerjes. Por edhe pse përfundon Devolli, vitin e ardhshëm do të nisin pagesat për katër koncesione të reja, që janë ai i laboratorëve, shkollat në bashkinë e Tiranës si dhe dy kontratat e rrugëve, ajo Milot- Balldren dhe Orikum- Dukat.

Pagesat buxhetore për koncesionet janë rritur me ritme dyshifrore, veçanërisht gjatë viteve të fundit. Kjo ka bërë që fatura e tyre në buxhet të dyfishohet brenda vetëm tre viteve, nga 7 miliardë lekë që ishte në 2017-ën, në mbi 14 miliardë lekë vitin tjetër.

Parlamenti ka miratuar një ligj, i cili sanksionon se shuma e përgjithshme të pagesave për kontratat koncesionare nuk mund të tejkalojë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Në rast se pagesa për koncesionet i afrohet kufirit prej 5 përqind të të ardhurave atëherë qeveria automatikisht ndërmerr masa korrektuese duke rritur taksat ose duke shkurtuar shpenzimet publike në sektorët e tjerë të ekonomisë.

Por deri tani, edhe pse në trend rritës, pagesat për koncesionet mbeten brenda kufirit ligjor. Sipas të dhënave nga buxheti, për vitin e ardhshëm, fatura që qeveria do të paguajë për kontratat e Partneritetit Publik privat pritet të arrijë sa 3.3 për qind e të ardhurave tatimore që mblidhen në buxhet nga 2.8 përqind që është këtë vit.

Loading...
loading...
Back to top button
Close