“Vrasësi” me letra në Britani/ Mediat e huaja: Si Ilirian Zeqaj hyri në Angli i fshehur brenda kamionit

Gazeta britanike Dailymail i është rikthyer sërish çështjes së emigrantëve shqiptarë atje duke sjellë rastin e Ilirian Zeqajt. Sipas artikullit të medias britanike, 50 vjeçari hyri ilegalisht në Britani por më pas mori leje qëndrimi dhe madje hapi edhe biznes në Londër, edhe pse akuzohej për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Cakran në vitin 1999. Pas arrestimit në shkurt të këtij viti ai pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Tabloidi britanik Dailymail ka shkruar sërish për shqiptarët që kanë fituar leje qëndrimi në Angli duke iu referuar rastit të 50 vjeçarit nga Shqipëria Ilirian Zeqaj, i akuzuar për vrasje të dyfishtë.

Shqiptari sipas artikullit përballet me ekstradimin në Shqipëri për herë të dytë pasi hyri fshehurazi në Britaninë e Madhe dy herë radhazi, dhe madje mori nënshtetësinë me emër të rremë.

Zeqaj, dyshohet për vrasjen e dy personave në fshatin Cakran në vitin 1999, por hyri në Angli i fshehur në një kamion pesë muaj më vonë dhe kërkoi azil me emrin Klemend Zeqaj, me dokumente të rreme si refugjat kosovar. Edhe pse ishte një nga të arratisurit më të kërkuar në Shqipëri, atij iu dha leja e përhershme për të qëndruar në vitin 2005 dhe shtetësia britanike një vit më vonë.

Zeqaj u dënua në mungesë me 23 vjet burg për vrasje në vitin 2002. Ai ka tre fëmijë, përfshirë një vajzë që ndjek Universitetin e Kembrixhit. Pasi u gjurmua nga policia britanike në vitin 2011 dhe u ekstradua në Shqipëri dy vjet më vonë për t’u përballur me rigjykimin, ai u lirua nga akuzat për vrasjet.

50-vjeçari u lirua dhe u kthye menjëherë në Britani, por Gjykata e Lartë e Shqipërisë më vonë zbuloi se gjyqi ishte i korruptuar dhe vendimet e pafajësisë nuk ishin të sakta. Pavarësisht kësaj Zeqaj, jeton në veri-perëndim të Londrës, ku ka drejtuar një kompani për pajisje tualeti.

Babai i tre fëmijëve tashmë rrezikon rikthimin në Shqipëri për t’u përballur edhe njëherë tjetër në gjykatë me akuzat për vrasjen e Gramoz dhe Shkëlqim Llanajt , ngjarje e ndodhur në shtator 1999. Gjykata e Lartë Shqiptare rishikoi gjyqin e Zeqajt në 2017 dhe konstatoi se ligji nuk ishte zbatuar si duhet dhe lirimi i tij ishte i gabuar.

Shqiptari u paraqit në Gjykatën e Westminsterit më 10 tetor ndërsa seanca e radhës është planifikuar më 30 janar.

Daily Mail shkruan se Zeqaj, i ka mohuar akuzat për vrasjet në Shqipëri ndërkohë që një zëdhënës i Home Office tha se ai ishte ekstraduar më parë në Shqipëri dhe ishte shpallur i pafajshëm, por pas një kërkese tjetër për ekstradim nga autoritetet shqiptare, ai u arrestua më 27 shkurt 2022 në Britani.

Back to top button