UEFA dyshon, ende nuk ka shpallur emrin e stadiumit për Shqipëri-Francë

A do të luhet ndeshja Shqipëri-Francë në stadiumin “Arena Kombëtare”? Për presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ndeshja në fjalë do të luhet patjetër në këtë stadium më 17 nëntor. Sipas tij, vetëm ndonjë forcë madhore mund ta ndalojë. Por dyshimet mbeten dhe tashmë janë bërë edhe më të forta e më serioze. 

Në faqen zyrtare të UEFA-s, në kalendarin e ndeshjeve kualifikuese të radhës për Euro 2020, vetëm për ndeshjen Shqipëri-Francë mungon emri i stadiumit. Kjo do të thotë se ende nuk ka një konfirmim zyrtar për zhvillimin e ndeshjes në stadiumin e ri, që me sa duket, nuk është gati. Kuptohet qartë se UEFA nuk toleron aspak në këtë drejtim. Stadiumi duhet të përmbushë të gjitha kriteret për të marrë miratimin dhe fakti që UEFA nuk e ka publikuar në faqen e saj emrin e stadiumit, do të thotë se diçka nuk shkon. Për ndeshjen me Andorrën, që luhet më 14 nëntor, është konfirmuar stadiumi “Elbasan Arena”. Ky mund të jetë plani B i FSHF-së për Francën, ose ndoshta “Loro Boriçi” i Shkodrës, por kohët e fundit po insistohet fort për stadiumin e ri. 

Loading...

Në një nga intervistat e fundit, presidenti Duka ka dhënë edhe detaje nga ceremonia e inaugurimit të “Arenës Kombëtare”, por UEFA mban ende gjithçka pezull. Dhe këtu ndërhyrjet nuk “pinë ujë”. Burime të Gazeta Si bëjnë me dije se një nga problemet kryesore të stadiumit të ri është ai që ka të bëjë me anën teknike të transmetimit të ndeshjes, ku nuk është treguar kujdesi i duhur dhe kabllat për kamerat që do të jënë në fushë janë lënë jashtë. 

UEFA është në pritje dhe ndoshta mund të ketë lënë një afat të fundit kohor. Ndeshja luhet pas më pak se dy javësh dhe dyshimet janë të mëdha ende. Fjalët janë të shumta, por UEFA sigurisht që është burimi më i besueshëm. Dyshimet e para lindër kur u shty ndeshja testuese mes Vllaznisë dhe Apolonisë për femra nga 3 më 10 nëntor. Tani edhe hezitimi i UEFA-s. 

Loading...
loading...
Back to top button
Close