Rinia drejt Greqisë, fshati turistik i Zvërnecit u mbetet të moshuarve

Mungesa e investimeve në fashatin turistik të Zvërnecit, ka detyruar banorët që ta braktisin atë.

Banorët ankohen se ka një mungesë vëmendje nga organet përkatëse, të cilët prej vitesh nuk kanë vënë dorë. Tashmë popullsia e Zvërnecit i përket moshës së tretë.

Banorët dhe veçanërisht rinia po braktis fshatin turistik të Zvërnecit. Më parë në Zvërneci jetonin afro 1200 banorë të ndarë në 350 familje, tashmë numri i tyre është reduktuar ndjeshëm.

Gjatë dimrit aty jetojnë afro 10 % tashmë e kësaj shifre, 100 deri në 150 banorë të ndarë në afro 60 familje, ku 99 % e tyre janë persona në moshë të tretë, pasi rinia është larguar në emigrim kryesisht në shtetin fqinj Greqinë.

E vetmja periudhë ku e shikon Zvërnecin paksa të populluar sipas banorëve është stina e verës, ku kthehen emigrantët.

, Rinia drejt Greqisë, fshati turistik i Zvërnecit u mbetet të moshuarve

Sapo futesh në fshat e vetmja gjë që të bie në sy janë shtëpitë e braktisura, rruga e amortizuar, uji i ndotur që shkon në rubinetat e banorëve, mungesa e energjisë elektrike, probleme këto që i shqetësojnë banorët.

Fshati turistik i Zvërnecit është një nga njësitë administrative më të bukura të qytetit të Vlorës për shkak të afërsisë së tij më detin Adriatik si dhe lagunën e Nartës.

Gjatë stinës së verës vizitohet nga shumë turistë për shkak dhe të afërsisë së tij më një ndër pikat më atraktive të qytetit, siç është Manastiri i Zvërnecit.

Gjithashtu Zvërneci është përfshirë në projektin e zhvillimit të 100 fshatrave turistike, por sërish vëmendja për të mungon tashmë prej vitesh.

Back to top button