SPAK ndez “motorët”! Qytetarët mund të denoncojnë online

Faqja zyrtare në internet e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion është vënë në funksion së bashku me një seksion ku qytetarët mund t’i drejtohen drejtpërdrejtë kësaj prokurorie për të denoncuar raste korrupsioni.

Seksioni “Raporto raste korrupsioni” në faqen spak.al duhet të plotësohet me emër, mbiemër, adresën e kutisë postare elektronike, përmbajtja e denoncimit dhe sipas dëshirës së qytetarit që i drejtohet këtij shërbimi edhe me dosje shtesë që i bashkëlidhen denoncimit, si foto apo dokumentacione të tjera.

Në rastin e emrit, mbiemrit dhe të postës elektronike, qytetarit i ofrohet mundësia që të ruajë anonimatin, duke shenjuar kutinë ku thotë “Anonim”. Po, funksionale është edhe faqja e internetit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, bkh.al. Edhe këtu sektori i denoncimit të drejtpërdrejtë nga ana e qytetarit është i pranishëm, identik si në rastin e Prokurorisë së Posaçme.

, SPAK ndez “motorët”! Qytetarët mund të denoncojnë online
Faksimile e seksionit online ku mund të denoncohen raste korrupsioni nga qytetarët, Gazeta Si

Ndërkohë, brenda pak ditëve pritet që të mësohen emrat e parë që do të bëhen pjesë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, konsideruar ndryshe edhe si “dora e hekurt” e SPAK-ut, pasi do të jetë pikërisht kjo strukturë që do të ndihmojë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme në hetimin dhe dërgimin në gjykatë të dosjeve të bujshme.

Aktualisht është ngritur një grup që do të verifikojë kandidaturat për drejtimin e BKH-së, i përbërë nga drejtuesi i SPAK, Arben Kraja dhe prokurorët e posaçëm Behar Dibra dhe Eneid Nakuçi.

Parashikohet që Byroja të ketë një staf me rreth 60 persona, që në kuadër të organizimit të SPAK të ndahen sipas fushës së specializuar në dy grupe. Në grupin e punonjësve të BKH-së që do të hetojnë krimin e organizuar dhe në grupin e atyre që do të hetojnë korrupsionin. Kjo është e njëjta ndarje që propozoi edhe Arben Kraja në platformën e paraqitur para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku mori votat për drejtimin e SPAK.

, SPAK ndez “motorët”! Qytetarët mund të denoncojnë online
Akuzat dhe veprat penale që do të hetojë SPAK

Kandidatët potencialë do t’i nënshtrohen të ashtuquajturit “testi i së vërtetës”, ose poligrafit, një pajisje që ka mbërritur tashmë në zyrat e ish-Krimeve të Rënda si pjesë e ndihmës amerikane për drejtësinë e re shqiptare. Po ashtu, ata duhet të “dorëzojnë” privatësinë dhe të gjitha të dhëna të tjera që lidhen jo vetëm me ta, por edhe me rrethin e familjarëve dhe të afërmve të tyre.

Denoncimi i parë që mbërritur në SPAK ishte ai i Nismës Thurje, që kërkonte hetim për mënyrën sesi është dhënë koncesioni i sterilizimit të pajisjeve mjekësore, ndërkohë që me emërimin e përkohshëm të prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prençi në këtë strukturë dorëzohen edhe dosjet e bujshme që dy prokurorët kanë marrë nën hetim si pjesë e ish-Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Back to top button