Drejtori i AKBN: Negociatat për detin nuk pengojnë kërkimet në Jon

Shteti shqiptar do të avancojë me kërkimet për naftë në detin Jon pavarësisht mungesës së një marrëveshje me Greqinë për kufirin detar dhe zonat ekskluzive ekonomike. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Burimeve natyrore,  Adrian Bylyku, njëherësh pjesë e grupit negociator shqiptar  për marrëveshjen me Greqinë zbulon se gjatë kësaj periudhe kontaktet me palën greke kanë qenë në nivel teknik.

Ardian Bylyku, drejtor ekzekutiv i AKBN: “Besoj që nuk komplikon shumë pjesën e kërkim-zbulimit për arsye se edhe me kolegët grekë ne jemi duke shkëmbyer të dhëna. Mendoj që gjërat duan momentin e tyre. Kemi një basghkëpunim shumë të mirë me kolegët grekë, ashtu sië kemi dhe me pjesën e Malit të Zi. Janë elemente, të cilat zgjidhen nëpërmjet kontratave, ka disa klauzaola që japin mundësinë e bashkëpunimit. 

Mendoj që pjesa e dakordësimit nga pikëpamja “politike” ose “gjeopolitike e kufijve është një element që shkon përtej gjeologjisë, por unë mendoj që kjo nuk do ta pengojë pjesën e zhvillimit të kërkimit në sektorin e hidrokarburit.”

Për kërkimet në detin Jon dhe specifikisht në bllokun 5, shteti shqiptar thotë Bylyku do të ketë ndihmën e partnerëve amerikanë  që do të asistojnë në përgatitjen e legjislacionit të ri për kërkimet hidrokarbure.

Ardian Bylyku,  drejtor ekzekutiv i AKBN: “Mbetet me interes blloku Joni 5 në pjesën offshore dhe në pjesën onshore. Pra interesi për kërkim-zbulim në Shqipëri mbetet i lartë, por nga ana tjetër do të jetë dhe sipas rezultateve që do të paraqesin kompanitë nën asistencën e Deloite-it mbështetur nga Departamenti i Shtetit ne do të fillojmë përgatitjen për  legjislacionin e kërkimit në det, i cili hap një perspektivë tjetër për kërkim-zbulimin e hidrokarbureve në Shqipëri.”

Bylyku sqaron se të njëjtin bashkëpunim si me palën greke shteti shqiptar ka edhe me Malin e Zi në fushën e kërkimit të hidrokarbureve.

Back to top button