Kishte shkuar për analizat e të ëmës në Serbi, arrestohet kosovari

Fillimin e 2020-tës, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli e nisi me një denoncim të veprimeve të Beogradit.

“Serbia nuk mund të pengojë pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë përndjekjet politike”, është shprehur Pacolli që e ka marrë shtysën nga arrestimi i një shtetasi kosovar në Serbi.

Shefi në largim i diplomacisë kosovare e dënoi ashpër këtë veprim, dhe kërkoi lirimin e Nezir Mehmetaj. Mehmetaj u ndalua të premten nga policia serbe në pikën e kalimit kufitar të Merdares.

Raportet në mediat vendase thonë se ai jeton prej 25 vitesh në Zvicër, dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak se nëna e tij ishte e sëmurë, kishte shkuar në Beograd për t’i bërë analizat.

Ndalimi i tij për Pacollin, është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Ministri ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të “marrë masa urgjente” për të “frenuar veprimet e Beogradit”.

loading...
Back to top button
Close