Zviceranët mund t’i kalojnë pushimet këtë verë edhe në Shqipëri

Ilir Gjoni, Ambasador i Shqipërisë në Zvicër: “Ambasada për asnjë moment nuk ka qenë e mbyllur dhe ofron një shërbim edhe tej orarit zyrtar”

Në një intervistë z. Ilir Gjoni, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër flet për funksionimin e Ambasadës në kushtet e pandemisë, për operacionin më të madh në histori, të riatdhesimit që ka ndërmarrë Shqipëria gjatë kësaj periudhe, ku përfshihen edhe shtetasit e saj në Zvicër etj. Por në fokus të intervistës është normalizimi. Në këtë intervistë, z. Gjoni shfrytëzon nga rasti që të ftojë zviceranët dhe shqiptarët që pushimet e tyre verore këtë vit t`i bëjnë në Shqipëri, sigurisht, në varësi nga situata pandemike.

Si keni funksionuar si Ambasadë e Shqipërisë në Zvicër dhe a keni pasur bashkëpunim me autoritetet vendore në këtë kohë pandemie?

Ilir Gjoni: Më lejoni në radhë të parë t’u falënderoj për mundësinë që më jepni që përmes albinfo.ch, portali me i madh shqiptar në Zvicër të mund t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja lidhur me funksionimin e Ambasadës së Republika e Shqipërisë në Bernë gjatë kësaj pandemie.

Siç mund te kuptohet lehtë, kjo pandemi është e paprecedent, e cila në një farë mënyre i dha fund diplomacisë tradicionale e cila ka funksionuar për dekada të tëra. Kjo është një situatë ndryshimesh ku na është dashur të rikonceptojmë mënyrën e të punuarit si dhe të komunikimit si brenda institucionit ashtu dhe jashtë tij. Për rrjedhojë, na është dashur të kalojmë përmes një terreni krejt të panjohur; nga njëra anë me efektet që ka ndaj shtetasve shqiptarë që ndodhen në territorin e Zvicrës dhe nga ana tjetër me ndryshimet që ka sjellë në menaxhimin e marrëdhënieve bilaterale. Për pasojë, procedurat e funksionimit të Ambasadës është dashur të adaptohen në kushtet e diktuara nga pandemia. Kjo situatë ka ndryshuar radikalisht mënyrën e funksionimit, si të Ambasadorit ashtu dhe të stafit diplomatik e teknik. Fakt është se diplomacia tashmë kalon përmes telefonit, e-mailit, rrjeteve sociale dhe takimeve virtuale.

Një nga problemet praktike më akute ka qenë dhe mbetet riatdhesimi i shtetasve të bllokuar në Zvicër. Për të hyrë në kontakt me të gjithë shtetasit e bllokuar në Konfederatën e Zvicrës dhe për tu dhënë atyre informacionin e nevojshëm, na është dashur të bëjmë një fushatë intensive komunikimi përmes rrjeteve sociale, internetit dhe njoftimeve në faqen zyrtare të Ambasadës. Fatkeqësisht në kulturën tonë ende nuk është ngulitur nevoja e regjistrimit të shtetasve sa herë që ata dalin jashtë territorit te Shqipërisë dhe kjo sigurisht e ka bërë më të vështirë punën tonë.

Ndërkohë, kontaktet me institucionet zvicerane kryesisht Departamentin Federal për Punët e Jashtme, Sekretariatin e Migracionit, zyrat e migracionit dhe policisë në kantonet e Zvicrës si dhe konsujt e nderit të Shqipërisë në Cyrih dhe Ticino kanë qenë më intensive se kurrë më parë.

Në këtë kohë pandemie, sa qytetarë të Shqipërisë janë riatdhesuar në Shqipëri (numri i përgjithshëm i tyre)?

Ilir Gjoni: Operacioni më i madh i riatdhesimit i organizuar ndonjëherë nga vendi ynë nisi (për Zvicrën) me fluturimin e parë të datës 30 mars ku u përfshinë shtetas shqiptarë të cilët kishin ardhur për vizitë në Zvicër për një periudhë të shkurtër kohe me mjete financiare të kufizuara dhe pa mundësi akomodimi për një kohë të gjatë. Më pas riatdhesimi ka vijuar me fluturimet e organizuara në datë 9  dhe 17 maj, po nga autoritetet shqiptare përmes linjës ajrore shqiptare “AirAlbania”. Totali i shtetasve të riatdhesuar shkon afërsisht te 400 persona. Ndërkohë Sekretariati i Migracionit vetë organizoi në datën 14 maj një fluturim riatdhesimi kryesisht për shtetas të cilët kishin kryer dënimin në sistemin ndëshkimor zviceran. Vlen të shënohet gjithashtu se nga fluturimet e organizuara nga qeveria shqiptare, u është dhënë mundësia edhe shumë shtetasve zviceranë dhe të vendeve të BE që të mund të udhëtojnë nga Shqipëria drejt Zvicrës apo destinaconeve të tjera në Evropë. Më duhet gjithsesi të konfirmoj faktin se ende ka shqiptarë të cilët kërkojnë të riatdhesohen, ndërkohë qeveria shqiptare ka deklaruar se pas datës 18 maj procesi i riatdhesimit do të intensifikohet më tej.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga fillimi i pandemisë, dhe sidomos vendosja e kufizimeve nga ana e autoriteteve federale zvicerane, Ambasada ka qenë e hapur dhe në shërbim të shtetasve në nevojë. Puna është organizuar, siç e shpreha më lartë, me prani të përhershme në Ambasada të një diplomati dhe punë nga shtëpia të diplomatit tjetër, duke shfrytëzuar në maksimum mjetet e komunikimit elektronik.

Na tregoni më shumë rreth kërkesave të tyre, çfarë kërkesash ka pasur më shumë?

Të gjitha shërbimet konsullore të kërkuara prej Ambasadës, kryesisht pajisje me leje kalimi u janë shërbyer qytetarëve direkt me praninë e tyre në Ambasadë, duke respektuar rigorozisht masat e sigurisë shëndetësore, ndërkohë që në bashkëpunim me autoritetet federale u arrit të krijohej mundësia për shtetas të cilëve u kalonte afati 90 ditor i qëndrimit në zonën Shengen, që të mos penalizohen, por tu mundësohet zgjatja e lejes së qëndrimit.

Paralelisht me këtë, është punuar me intensitet për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve zvicerane për sistemin shëndetësor në Shqipëri gjë e cila u arrit me akordimin e 330.000 dollarëve amerikanë Ministrisë së Shëndetësisë të Shqipërisë për blerje të aparaturave shëndetësore në funksion të trajtimit të të sëmurëve. Dëshiroj po ashtu të shpreh një mirënjohje të thellë për të gjithë ata shtetas shqiptarë me banim në Zvicër që kanë shprehur solidaritet e gatishmëri për t`i ardhur në ndihmë Ambasadës. Në mënyrë të veçantë për shtetasit zviceranë. Këtu dëshiroj të veçoj znj. Ruth Sandelowsky, CEO e Kolmar Group AG e cila ofroi vullnetarisht një sasi të konsiderueshme maskash mbrojtëse.

Tani në këtë kohë pandemie, cili është orari i punës për shërbimet qoftë edhe online?

Ilir Gjoni: Ambasada për asnjë moment nuk ka qenë e mbyllur dhe ofron një shërbim edhe tej orarit zyrtar ku shtetasit në nevojë kanë mundësi të telefonojnë në numrin e emergjencës në çdo orë të ditës apo natës apo dhe dërgojnë e-mail në adresat zyrtare të Ambasadës së Shqipërisë në Bernë.

Zvicra ka filluar ngadalë t’i kthehet normalitetit. A ka një datë, kur ju mund të parashikoni se Ambasada do t’i kthehet normales, apo ndonjë strategji të re rreth punës tuaj edhe në këtë mënyrë?

Iliri Gjoni: Mendoj se tanimë kjo mënyrë e të bërit diplomaci është mëse normale. Sigurisht që Ambasada është e detyruar të zbatojë gjithë udhëzimet, vendimet apo rregullat e marra nga autoritetet federale e për rrjedhojë edhe ne ndjekim të njëjtin hap e ritëm si dhe pjesa tjetër e shoqërisë zvicerane.

Shqiptarët e Zvicrës me prejardhje nga Shqipëria dhe Kosova, po edhe turistët zviceranë, a mund të kalojnë sivjet pushimet verore në bregdetin shqiptar?

Ilir Gjoni: Kryeministri e bëri të qartë më datë 14 maj në daljen e tij në media se kjo mundësi do të ekzistojë dhe kufijtë për shqiptarët do të hapen për sezonin veror gjithmonë në varësi të ecurisë së të dhënave pandemike, duke respektuar rregullat dhe duke treguar një përgjegjësi qytetare në mbrojtje të shëndetit.

Më saktësisht kur mund t’i kalojmë pushime në Shqipëri, në qershor?

Ilir Gjoni: Askush nuk e ka një përgjigje të saktë. Qeveria nuk ka një deklaratë konkrete për datën.

loading...
Back to top button
Close