Afera CEZ dhe DIA: Përveç Metës, të implikuar dhe Sali e Shkëlzen Berisha. Milionat e “humbura” dhe ato që kaluan me banka
Afera që sapo ka nisur SPAK dje me thirrjen e Ilir Metës, përbën një nga skandalet më të mëdhenj të abuzimit me qindra miliona të fondeve publike. E në këtë aferë, përveç Metës, i cili dëshmoi dje, duken të përfshirë edhe Sali Berisha dhe i biri Shkëlzeni.Raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar për aferën CEZ, ka nxjerrë të dhëna tronditëse për këtë çështje, ku është nxjerrë përfundimin se shtetit i është shkaktuar një dëm kolosal në një shifër gjigande prej 414 milionë eurove. Ndërkaq, ky komision ka nxjerrë të dhëna se ndërmjetësi për privatizimin e CEZ, shtetosi Kosovarë Nue Nuel(Nik) Kalaj, i cili ka lidhje direkte me Sali Berishën e të birin e tij Shkëlzeni, ka marrë 7 milionë euro cash përpara, se marrëveshja për privatizimin e OSHE të miratohej nga Parlamenti shqiptar. Komisioni Hetimor Parlamentar thirri Sali Berishën, të birin e tij Shkëlzenin dhe Nuel Kalajn. Dy të parët refuzuan të bënin betimin e të dëshmonin, kurse i treti nuk u paraqit. Po t’i marrim çështjet me radhë.
Nuel Kalaj
Bazuar në dokumentacionin dhe informacionin e marrë, Komisioni Hetimor konstatoi shuma të mëdha transfertash të kryera nga shoqëria CEZ a.s në llogarinë bankare personale të shtetasit Nue Nik Kalaj. Nga analiza e kryer mbi të dhënat bankare të këtij shtetasi, rezulton se një sërë pagesash të dyshimta në favor të tij, kanë filluar të kryhen që në muajin Janar të vitit 2008, kanë vazhduar gjatë gjithë këtij viti dhe kanë kulmuar me një transfertë prej 6.854.248 euro në datën 12 Qershor 2009.
Përveç të tjerave, vihet re se pagesat nga CEZ a.s në favor të z. Kalaj janë kryer para se qeveria shqiptare të miratonte Ligjin nr. 9889, datë 20.03.2008 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”, ligj i cili edhe i hapi rrugë privatizimit të kësaj shoqëri.
Në total, shuma e përfituar nga shtetati Nue (Nuel) Nik Kalaj nga CEZ a.s sipas dokumentacionit të administruar në dosjen hetimore, është afërsisht 7 milion euro.
Mungesa e dokumenteve justifikuese për kryerjen e transaksioneve nga CEZ a.s në favor të Nue (Nuel) Nik Kalaj. Për të bërë të mundur kryerjen e një hetimi të të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm, Komisioni Hetimor, në mënyrë të përsëritur, i dha mundësinë z. Kalaj që të dëshmonte dhe të jepte shpjegimet në lidhje me rolin e tij në privatizimin e OSSH nga ana e CEZ a.s. Gjatë deklarimeve të tij nëpër media të ndryshme, z. Kalaj ka pretenduar se shumat monetare i ka përfituar nga CEZ a.s për shkak të informacionit që ai i jepte kësaj shoqërie për nevojat e saj në Shqipëri.
Duke analizuar gjithë dokumentacionin e dosjes hetimore si dhe dëshmitë e dhëna, Komisioni ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se çfarëdolloj shërbimi të ligjshëm që mund të ketë kryer z. Kalaj në favor të CEZ a.s, nuk e justifikon përfitimin e tij prej 7 milionë eurosh. Kjo përforcohet edhe nga fakti që z. Kalaj ka përfituar nga ky proces privatizimi një vlerë monetare shumë herë më të madhe edhe sesa vetë Banka Botërore (IFC). Kështu z. Kalaj nuk paraqiti asnjë informacion apo dokumentacion me të cilën të provonte dhe justifikonte punën apo shërbimin e kryer në favor të CEZ a.s, nuk paraqiti asnjë kontratë apo faturë ku të përcaktoheshin objekti i punës/shërbimit, kushtet, kriteret, afatet e dorëzimit etj. Fakti që transaksioni është kryer nga një shoqëri e huaj si CEZ a.s, nuk e përjashton z. Kalaj (për më tepër një person me shtetësi shqiptare), nga detyrimi për të zbatuar legjislacionin shqiptar në fuqi.
Z. Kalaj nuk ka dhënë asnjë shpjegim se cili është informacioni që i ka dhënë CEZ a.s për privatizimin e OSSH-së, në një kohë që i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për privatizimin e kësaj shoqërie u ishte vënë në dispozicion të gjitha shoqërive që ishin të interesuara në këtë procedurë privatizimi.
Duke u bazuar në gjithë provat e administruara, Komisioni dyshon se CEZ a.s ka kontraktuar z. Kalaj pikërisht për shkak të lidhjeve të forta që ky i fundit kishte krijuar me ish-Kryeministrin Sali Berisha si dhe z. Genc Ruli, ish-Ministrin e ministrisë që zotëronte aksionet e OSSH-së.
Shkeljet e bëra gjatë dhe pas procesit të privatizimit të OSSH-së, mënyra e përfundimit të kësaj gare, si dhe përfitimet e jashtëzakonshme që ka patur z. Kalaj me shpalljen fitues të CEZ, provojnë që fituesi i garës ka qenë i paracaktuar.
Lidhja e Sali Berishës me Nuel Kalajn
Në raportin e Komisionit Hetimor për çështjen CEZ, theksohet se “Sipas dëshmisë së dhënë nga z. Romeo Kara pranë Komisionit si dhe bazuar në një dokument të paraqitur nga ana e tij si provë, rezulton se në vitin 2006, shtetasi Nue (Nuel) Nik Kalaj ka patur mbi 100 komunikime me ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili e ka deleguar këtë çështje te ish-Ministri Genc Ruli, (në atë kohë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës). Fillimisht z. Kalaj ka patur kontradikta me z. Ruli, pasi sipas tij ish-Ministri kishte filluar tratativat për privatizimin me shoqërinë italiane ENEL Energia.
Në një prej takimeve, z. Nue Kalaj i ka kërkuar me forcë z. Ruli që të zbatonte urdhërin e dhënë nga z. Berisha në mënyrë që privatizimi i OSSH-së të kryhej nga CEZ a.s.
Pasi ka marrë garancitë e nevojshme, z. Kalaj ka lidhur kontratë me CEZ a.s me qëllim përfitimin e një tarife suksesi në rast të privatizimit me sukses të OSSH-së në favor të CEZ Group.
Bazuar në dëshminë e z. Romeo Kara, si dhe në dokumentacionin e vënë në dispozicion prej tij, në zbatim të Ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” si dhe neneve 153 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, Komisioni Hetimor kërkoi zyrtarisht thirrjen e z. Sali Berisha, në cilësinë e dëshmitarit, në mënyrë që të jepte shpjegime mbi faktet dhe rrethanat në lidhje me privatizimin e OSSH-së si dhe të shpjegonte lidhjet e tij të ngushta me z. Nue (Nuel) Nik Kalaj.
Pavarësisht se ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit para Komisionit, ai refuzoi të bënte betimin apo të dëshmonte, edhe pse është informuar në mënyrë të vazhdueshme për të drejtat dhe detyrimet e tij ligjore, ashtu edhe për pasojat ligjore që do kishte në rast të refuzimit të dhënies së dëshmisë. Për sa më sipër, Komisioni konstaton se, ndër të tjerash, shtetasi Sali Ram Berisha, ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 307 i Kodit Penal “Refuzimi për të dëshmuar”.
Lidhjet e Nuel Kalajt me Shkëlzen Berishën
Gjatë hetimit të kryer, Komisioni Hetimor ka administruar si provë, ndër të tjera, edhe një e-mail të datës 28 Janar 2010 ndërmjet Josef Hejsek dhe Tomas Pleskac, të dy këta ish-drejtorë të lartë të CEZ. Ky e-mail përbën një tjetër provë nëpërmjet të cilës del qartë roli i Nue (Nuel) Nik Kalaj si ndërmjetës midis CEZ dhe ish-Kryeministrit Berisha. Nga ana tjetër kjo korrespondencë sqaron gjithashtu edhe mënyrën sesi caktoheshin realisht favoret ndaj CEZ që nga debitë, rregullimet e çmimit etj. Përveç sa më sipër, Komisioni konstatoi se në këtë e-mail flitet për një takim të Nue (Nuel) Nik Kalaj me të birin e ish-Kryeministrit, takim i cili sipas Kalaj ishte shtyrë deri sa të vinte z. Berisha.
Bazuar në dokumentacionin e administruar në dosjen e Komisionit dhe në zbatim të Ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” si dhe neneve 153 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, Komisioni Hetimor kërkoi zyrtarisht thirrjen e z. Shkëlzen Sali Berisha, në cilësinë e dëshmitarit, në mënyrë që të jepte shpjegime mbi faktet dhe rrethanat, objekt i hetimit të komisionit si dhe të shpjegonte lidhjet e tij me z. Nue (Nuel) Nik Kalaj.
Pavarësisht se i biri i z. Berisha u paraqit para Komisionit, ai refuzoi të bënte betimin apo të dëshmonte, edhe pse është informuar në mënyrë të vazhdueshme për të drejtat dhe detyrimet e tij ligjore, ashtu edhe për pasojat ligjore që do kishte në rast të refuzimit të dhënies së dëshmisë. Për sa më sipër, Komisioni konstaton se, ndër të tjera, shtetasi Shkëlzen Sali Berisha, ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 307 i Kodit Penal “Refuzimi për të dëshmuar”.
Nga dokumentacioni zyrtar i administruar si provë, dëshmitë e dhëna, si dhe duke u bazuar në faktin që shtetasi Shkëlzen Sali Berisha nuk pranoi të dëshmonte para Komisioni Hetimor për lidhjet e tij me z. Nue (Nuel) Nik Kalaj, Komisioni Hetimor i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë që të kërkojë nga ana e Prokurorisë hetimin e plotë, të pavarur e të gjithanshëm të lidhjeve të dyshimta ndërmjet Nue Kalaj me të birin e ish-Kryeministrit Berisha.
DIA dhe CEZ, lidhjet e tjera përveç Metës
Komisisioni Hetimor Parlamentar, ka bërë të ditur në raportin e tij lidhje të forta të çështjes së DIA, jo vetëm me Ilir Metën, por edhe me Berishën. Sipas raportit, njeriu kyç që ka dëshmuar për këtë çështje, Elvis Mataj, ka pasur vëllain e tij këshilltar të kryeministrit Sali Berisha.
Në konkluzionet e Komisionit Hetimor theksohet se: “Nga dëshmia e dhënë nga Josef Hejsek (ish menaxher i lartë i CEZ) rezulton se Kastriot Ismailaj ishte rekomanduar për të mbledhur borxhet si një aleat i ngushtë i ish kryeministrit Berisha; Nga korrespondenca elektronike rezulton se Josef Hejsek ka dërguar te Ismailaj aplikimin e bërë te ERE për ndryshimin e cmimit të energjisë dhe ka kërkuar ndihmën e këtij të fundit.
Në rolin e Drejtorit Ekzekutiv të DIA, Kastriot Ismailaj ka punësuar Elvis Mataj, vëllain e këshilltarit të Sali Berishës. Shtetasi Kastriot Ismailaj ka qenë kandidat për Anëtar të Këshillit Mbikqyrës të CEZ dhe përfaqësues i shtetit shqiptar si aksioner minoritar në këtë shoqëri”. Raporti i Komisionit ka edhe fakte të tjera tronditëse, sesi DIA nuk është një subjekt por një skemë e pastër për të kaluar paratë në favor të njerëzve të pushtetit. E në këtë aspekt, Shkëlzen Berisha ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Kastriot Ismailajn.
Në raaport theksohet: “Komisioni Hetimor kërkoi dhe administroi në dosje të dhënat e Sistemit TIMS të shtetasve Kastriot Ismailaj dhe Shkëlzen Berisha. Bazuar në këto të dhëna, Komisioni dyshon se të dy këta shtetas kanë udhëtuar së bashku në fund të vitit 2010 ku dhe janë akomoduar në Hotel Mandarin në Pragë, Ceki.
Komisioni ka krijuar dyshimin se lidhjet e ngushta të Ismailaj me Sali dhe Shkëlzen Berishën kanë ndikuar që më vonë DIA dhe CEZ të procedojnë me lidhjen e kontratës për mbledhjen e borxheve të datës 1 Shkurt 2011”.
TemA