Qesari: Shqipëria s’ka arritur të bëhet qendra politike përbashkuese e shqiptarëve

Edon Qesari, profesor i Shkencave Politike në Tiranë, ka thënë se Shqipëria nuk ka arritur asnjëherë, e sot akoma më pak, për të qenë qendra politike përbashkuese e të gjithë faktorit etnik shqiptar në Ballkan.

Me ç’rast ka diskutuar rreth përplasjeve ndërmjet liderëve të Shqipërisë e të Kosovës, së fundmi ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Vjosa Osmani.

“Nga njëra anë ka një ftohtësi, një moskuptim midis dy lidershipeve, nuk do të thoja specifikisht midis z. Rama dhe znj. Osmani, por do të thosha më gjerë, midis z. Rama dhe një faktori politik në Kosovë, sidomos në vitet e fundit ka ardhur gjithmonë e më tepër duke marrë pozicionime gjithmonë e më të larta. Midis dy faktorëve politike në dekadën e fundit nuk kanë munguar, qoftë këto sikur të jenë të përqendruara te z. Rama, qoftë këto tek z. Kurtit për shembull, por edhe më gjerë. Nuk kanë munguar shkëndijat, nuk kanë munguar përplasjet”, ka thënë Qesari.

Sipas tij kjo duhet parë edhe në një rrafsh më të gjerë.

“Pavarësisht të gjitha gjërave që na bashkojnë, të të njëjtit komb, të gjuhës së përbashkët, kam përshtypjen se dy shtetet përkatëse janë tashmë pjesë të dy hapësirave që jo gjithmonë kanë komunikim të drejtpërdrejtë e jo gjithmonë në harmoni”, shprehet Qesari.

Në vitet e fundit sipas tij kemi ardhur drejt një kulmi që ka nisur disa dekada më herët.

“Janë dy faktorë shumë të rëndësishëm që sipas meje dy klasat politike përkatëse ende nuk kanë arritur ta kuptojnë. Kur them dy klasat politike nuk iu referohem vetëm këtyre aktuale. Pra, nuk i referohem vetëm z. Kurtit dhe z. Ramës, z. Haradinaj apo z. Basha. Shqipëria nuk ka arritur asnjëherë, e sot akoma më pak, atë dëshirë të madhe për të qenë qendra politike përbashkuese e të gjithë faktorit etnik shqiptarë në Ballkan”, ka thënë Qesari. “Është e kotë të mohojmë që nga ana e Tiranës ka pasur një vullnet dhe një ambicie për të qenë një qendër hegjemoniste, gati perandorake. Kjo nuk është kuptuar ende sot nga shtetasit shqiptarë, që nuk i kanë as mjetet politike, e as kulturore për ta kryer këtë. Përtej të gjitha gjërave që na bashkojnë në Kosovë ka një ambicie, një shprehi, një vullnet shtetformues përpara se komb-bashkues. Ky vullnet shtetformues, ende sot në Tiranë nuk kuptohet”.

Ai ka shtuar se pas këtyre përplasjeve ka njëlloj marketingu politik.

“Para së gjithash jemi dy shtete fqinje që bashkëndajnë disa cilësi të njëjta. Në këto momente ato që drejtojnë nuk më duket se janë aq të shkathta për të shitur iluzionet. Nuk e mohoj se pas gjithë këtyre lëvizjeve ka njëlloj marketingu politik. Ka edhe elemente praktike”, ka thënë ai.

Qesari shton se tani komunikimi është shumë më i shpeshtë ndërmjet qytetarëve të të dy shteteve.

“Midis shoqërisë dhe politikës ka marrëdhënie krejt të ndryshme. Është një ndër rastet e pakta ku politika në raport me shoqërinë është në një regres të vazhdueshëm”, shprehet ai.

“Takimet e përbashkëta të kabineteve qeveritare, pavarësisht qëllimeve fisnike që mund të kenë, mbeten në momentin kur nuk përkthehen në gjuhë konkrete, burokratike, në gjuhë marrëveshjes atëherë mbeten vetëm një lustër marketingu. Dhe kam frikë se në momentin kur mbarojnë marrëdhëniet ndërmjet një klase politike në Tiranë dhe një klase të caktuar politike në Prishtinë lustra del edhe më shumë në pah dhe duket për atë çfarë është. Unë do të insistoja më tepër tek marrëdhëniet ndërshtetërore. Ato janë një vazhdimësi në krahasim me ato ndër partiake, ndër politike e ndër qytetare”, ka thënë Qesari. “Hapësirat ndërvepruese së shtrihen përtej shteteve tona kam përshtypjen se janë dy të ndryshme”.

Back to top button