Pamje si në filma/ Momenti i shkëmbimit të ish-marinsit amerikan me pilotin rus

Trevor Reed, një shtetas amerikan dhe ish-marins i cili ishte arrestuar në Rusi që nga viti 2019, është kthyer në Shtetet e Bashkuara, tha nëna e tij Paula Reed në Twitter herët të enjten.

Reed u lirua në një shkëmbim të të burgosurve të mërkurën e 27 prillit.

“Ka qenë një ditë shumë emocionuese për familjen Reed,” shkroi Paula Reed në Twitter.

 “Trevor është kthyer në SHBA.”

Lirimi i dha fund një sprove gati trevjeçare për Reed, i cili u dënua me nëntë vjet burg në korrik 2020 për rrezikimin e “jetës dhe shëndetit” të oficerëve të policisë ruse në një grindje. Reed dhe familja e tij i kanë mohuar akuzat kundër tij.

Lirimi i Reed nuk do të ndikojë në qasjen e SHBA ndaj luftës në Ukrainë, thanë zyrtarë të lartë të administratës.

Lirimi i tij erdhi pas muajsh përpjekjesh nga qeveria amerikane, thanë zyrtarët, dhe ishte veçanërisht urgjent duke pasur parasysh shqetësimet për shëndetin e Reed. Ajo u sigurua përfundimisht përmes një shkëmbimi të të burgosurve për shtetasin rus Konstantin Yaroshenko.

Shkëmbimi u zhvillua në Turqi të mërkurën, i thanë  CNN prindërit e Trevorit, Paula dhe Joey Reed.

Trevor Reed pa Yaroshenkon në pistë teksa shkëmbeheshin me njëri-tjetrin, por nuk i tha asgjë atij, sipas babait të tij.

Një aeroplan rus dhe një amerikan qëndronin në pistë në distancë nga njëri-tjetri.

“Ata i kaluan të burgosurit në të njëjtën kohë, si në filma’’, tha babai i Trevor për CNN.

Reeds thanë se ata kishin folur gjithashtu me Presidentin Joe Biden të mërkurën dhe shprehën mirënjohjen e tyre.

“Dëgjova në zërat e prindërve të Trevorit se sa shumë ata ishin të shqetësuar për shëndetin e tij dhe sa u mungonte prania e tij,” tha Biden në një deklaratë. “Dhe isha i kënaqur që munda të ndaja me ta lajmin e mirë për lirinë e Trevorit.”

Muaj të tërë negociatash

Lirimi i Reed ishte rezultat i “muajve të tërë të një pune të vështirë dhe të kujdesshme në të gjithë qeverinë amerikane” për këtë çështje, tha një zyrtar i lartë i administratës, duke vënë në dukje se “bisedimet për këtë çështje të veçantë janë përshpejtuar kohët e fundit për të arritur në këtë pikë”.

Një faktor shtytës ishte shqetësimi për shëndetin e Reed. Familja e tij ka shprehur shqetësimin për ekspozimin e tij të mundshëm ndaj tuberkulozit, si dhe për efektet e zgjatura nga infektimi me Covid-19.

Zyrtari, duke folur me gazetarët në një telefonatë të mërkurën, tha se “në fund të fundit, ato negociata e çuan Presidentin që të merrte një vendim shumë të vështirë për të zbutur dënimin e Konstantin Yaroshenko.

Yaroshenko është një pilot rus i cili ishte arrestuar në Liberi nga agjentë të fshehtë të Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Drogës më 28 maj 2010 dhe ishte sjellë në SHBA, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS. Ai u dënua për kontrabandë droge në vitin 2011 dhe u dënua me 20 vjet burg, të cilin e kishte kryer në Institucionin Federal Korrektues në Danbury, Connecticut. Ai ka mohuar akuzat ndaj tij.

Ministria e Jashtme e Rusisë kishte ngritur më parë mundësinë që Yaroshenko mund të kthehej “në këmbim të çdo shtetasi amerikan” të mbajtur në Rusi.

Zyrtari nuk dha detaje se si dhe pse Yaroshenko u zgjodh për shkëmbimin, por vuri në dukje se ai kishte vuajtur shumicën e dënimit të tij në SHBA dhe tani është në paraburgim rus./abcnews

Back to top button