“Kishin marrëdhënie shoqërore”/ Flasin fqinjët për vrasjen në Reskovec: Nuk ka justifikim…

Pas ngjarjes tragjike që ndodhi pasditen e sotme në Roskovec, ku xhaxha dhe nipi, Gramoz dhe Lavdërim Kurtaj, u vranë nga 49-vjeçari Altin Kuka, fqinjët e viktimave kanë shpërndarë mendimet e tyre dhe reagimet ndaj incidentit të rëndë.

Një fqinj ka deklaruar se, pavarësisht arsyes që mund të ketë çuar në këtë akt, krimi nuk mund të justifikohet. Ai gjithashtu ka shtuar se vetëm një javë më parë kishin qenë së bashku në të njëjtin vend, ku kishte ardhur edhe vëllai i dy viktimave nga Amerika.

“Cilido të ketë qenë arsyeja, krimi nuk justifikohet. Para një jave kemi qenë bashkë, u erdhi vëllai dy viktimave nga Amerika,” tha ai.

Një banor tjetër i fshatit ka përshkruar viktimat si vëllezër të mirë dhe individë të respektuar në komunitet. Ai ka theksuar se ata kishin marrëdhënie të mira dhe ishin të njohur për aktivitete të ndryshme, përfshirë një lokal dhe një pikë shumice në Roskovec.

“I njoh, janë vëllezër, ishin model i shoqërisë, njerëz bamirës. Ai ishte tregtar dhe kishte një lokal, tjetri kishte një pikë shumice në Roskovec. Autori kishte një aktivitet pularie. Ata hanin e pinin bashkë, kishte qenë gjë e çastit. Kishin marrëdhënie shumë shoqërore,” tha ai.

Ky incident ka tronditur thellësisht komunitetin e Roskovecit dhe hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes janë në vazhdim.

Back to top button