Babai i akuzuar bashkë me Metën, Erisa Xhixho: Jam e shokuar

Deputetja Erisa Xhixho ka reaguar për akuzat e ngritura nga SPAK ndaj babait të saj, Pirro Xhixho, gjatë kohës që ky i fundit ishte drejtues i AKEP-it.

Xhixho tha se dosja e SPAK shkoi në banesë shumë më vonë pasi lajmi kishte dalë në media. Ajo tha se babai i saj ndodhet në arrest shtëpie dhe se është i qetë.

Në emisionin “Top Story”, Xhixho pretendoi se SPAK nuk ka asnjë provë apo fakt që e implikon babain e saj në favorizimin e një kompanie private celulare në atë kohë.

“E shokuar në fakt. Por le të sqarojmë faktin që babai im ka qenë drejtor i AKEP-it. Çdo dokument, vendim i tij ka qenë publik dhe lehtësisht i verifikueshëm.

Në dosjen që pashë aty nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, për sa i përket telekomunikacioneve. Nuk ka asnjë akuzë për përfitime personale ndaj babait tim.

Dosja është një paçavure e disa prokurorëve, ajo dosje ndaj babait tim. Ne jemi shumë të qetë. Është në arrest shtëpie.

I erdhi dosja shumë më vonë. Me akuza që nuk janë të bazuara në prova apo fakte. Ajo dosje është përpiluar mbi bazën e thashethemeve dhe nuk ka prova për ato që akuzon babain tim.

Ne do ta ndjekim ligjërisht. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt që të implikojë vendimmarrjen e ish-drejtuesit të AKEP në favorizime”, u shpreh Xhixho.

Back to top button