Antireklama e hidhur e Florentino Perez për futbollin shqiptar
Nga Marko Caka, Nju Jork
Deklarata e presidentit madrilenas, Florentino Perez mbi sistemin votave per mënyrën sesi përzgjidhet fituesi i “Topit të Artë” ka bërë xhiron e botës. Ajo që e bën më qesharake është sesi deklarata e tij na rreshton edhe ne me vendet më të vogëla e më të varfra si ekonomikisht por edhe në nivel sportiv, por që fuqia e votës është e njëjtë me gjigantët e botës në të gjitha dimensionet por më tepër në atë sportiv. Nga njëra anë u ndjeva i ofenduar për gazetarin e madh sportiv Besnik Dizdari për intelektualitetin e tij të lartë, si një akademik I gazetarisë sportive shqiptare, i cili na ka ushqyer dhe informuar me penën e tij të madhe edhe atëherë kur informacioni ishte i mbyllur brenda një botë izoluese ku çdo gjë vinte e filtruar dhe lëshohej me pikatore tek lexuesit e etur shqiptarë sportdashës. Dhe këtë meritë të madhe e ka Besnik Dizdari me editorialet e tij dhe me librat e tij që sot janë një pasuri e madhe për gazetarinë sportive shqiptare. Deri këtu jemi shumë mirë për sa i përket njohurive dhe vlerave të akademikut të gazetarisë sportive shqiptare Besnik Dizdari. Por deklarata e presidentit të klubit më historik dhe më triumfues në arenat botërore Real Madrid është më shqetësuese se në batutën e tij përfshin edhe figurën e gazetarit tonë të madh sportiv ku vota e tij bëhet aq qesharake sa provokon kapacitetin e tij për të zgjedhur njëshin e futbollit botëror, të cilit ja veçoi “fati i tij mjeran” se jeton në një vend si Shqipëria që në këto dekadat e fundit nuk ka bërë asgjë as për vendin e tij por as në nivel botëror si në klube ashtu dhe në kombëtare dhe në fund kanë të njëjtën fuqi vote me vendet më me histori në futbollin botëror. Pra për sa i përket vendit tim se nuk ka bërë asgjë vitet e fundit i jap shumë të drejtë presidentit Perez por që nuk e lejoj të ofendoj personalitetin e gazetarit Besnik Dizdari i cili ka lidhur jetën e tij me historinë e futbollit shqiptar. Një penë e rrallë e gazetarit tonë që përcillte sukseset brenda izolimit më të egër komunist ku futbollistët megjithëse në kushte mizore por me talentin e tyrë të rrallë ata sfiduan kohën, sfiduan regjimin, sfiduan edhe botën tjetër të lirë ku Perez jetonte dhe si një promotor i lëvizjes së lirë të futbollistëve as që do ta imagjinonte. Kam mendimin që Perez nuk e njeh fare as si njeri, por as si akademik gazetarin tonë se ndryshe për respekt të shpirtit të sakrificës kurrë nuk do ta veçonte në deklaratën e tij. Pa thënë se sot jemi në demokraci gazetari ka lirinë e plotë të mendimit e të veprimit. Që të përqeshet Shqipëria në gojën e presidentit Perez, këtu nuk është faji i gazetarit shqiptar se përse vendi i shqiponjave nuk ka arritje si brenda vendit ashtu dhe në arenat botërore në nivel klubesh dhe të kombëtares që të rreshtohet me vendet e dobëta në të drejtën e votimit. Këtu është faji i drejtpërdrejt i Federatës së futbollit me presidentin e saj dhe gjithë mekanizmit sesi funksionojnë klubet shqiptare me gjendjen e tyre mjerane në nivel vendi dhe atë ndërkombëtar. Nuk dua të flas se kush e ka fajin që futbollit shqiptar në klube është në nivelet më e të ulëta, pa thënë skandaloze dhe për këtë nuk do shumë fakte mjafton vetëm të hedhësh një sy stadiumeve ku transmetohen ndeshjet ku në shkallët e saj bosh vëren vetëm pastrueset me fshesë në dorë(ndoshta duhen më tepër për të kthyer topat që bien tek shkallët sesa mbeturinat). Ndërsa për nivelin e gazetarisë, në stadiumet bosh më shumë bie në sy “gazetaret” sportive të terrenit me veshje provokuese që vërdallisen me mikrofon në dorë sesa vetë futbollistët sepse panelet televizive duan të kapin lajmin se kush e “xhuajti” gazetaren apo cili lojtar e ftoi për darkë, mundësish pa e marr vesh partnerja e tij. Deri në këtë nivel ka vajtur gazetaria sportive dhe që futbolli me futbollistët shqiptarë nuk bëjnë asnjë hap para. Ne mburremi me njëri tjetrin brenda një “fshati të vogël” që nuk ka këllqe të konkurrojë me vendet përreth pa le me vende të mëdha me histori në futboll as që diskutohet. Para pak ditësh lexova në statusin e futbollistit Armando Broja që ja dedikonte postimin ish kolegut të tij të Kombëtares, Odise Roshi duke e vlerësuar me legjendë. Për çfarë legjendë bëhet fjalë, cila është karriera e tij futbollistike që ka lënë gjurmë me aftësitë e tij, cilat janë trofetë e marra që ta shënojmë në librin e historisë si legjendë ?!?. E kuptoni pra deri ku ka shkuar vetëkënaqësia e futbollistëve tanë të kombëtares sonë që pa derdhur djersë akoma dhe pa lënë gjurmë duan edhe titullin “legjendë”. Pa patur asnjë trofe ne kemi një President që mburret me arritjet e tij në nivel ndërkombëtar duke marrë një post të rëndësishëm në organin më të lartë të futbollit europian. Ne si popull mburremi për postin e Dukës si zv president i UEFA sepse kombëtarja duke qenë pronë e tij, është në plan të dytë, pas tij. E marrim arritje të tij, aftësinë e tij për ti shërbyer klaneve të brendshme të organit drejtues të UEFA-s dhe interesave të tyre kur ata e shohin se fuqinë e votës e ka të njëjtë me presidentët e federatave të mëdha si Spanjës, Italisë, Gjermanisë, Anglisë etj. Kjo skemë ka funksionuar në vite ku drejtuesit e UEFA mbanin nga afër dhe favorizonin vendet e vogla sepse me anë të tyre rizgjidheshin presidentë të përjetshëm duke e kthyer Shtëpinë e madhe të futbollit europian si çifllig të tyre për interesa të tyre por jo për të rimëkëmbur futbolliin shqiptar të grupmoshave që lë për të dëshiruar. Përshembull ish futbollisti i madh Mishel Platini gjatë kohës që ishte president i UEFA-s favorizonte ish Presidentin e futbollit grek Vasilis Gagacis, deri sa të dy më vonë u dënuan për korrupsion dhe u larguan me turp nga drejtimi i futbollit evropian. Duke bërë avokatin e djallit,i mirë apo i keq, të paktën Presidenti grek Gagacis e nxori Greqinë kampione të Europës dhe klubet e saj për dy dekada ishin ndër më konkurrueset në Champions League me stadiumet e tyre të mbushura plot e për plot ,pa folur për investimet në terrene sportive dhe akademi futbolli. Duke ja bërë gjithë këto të mira futbollit grek, klubet e tyre vazhdojnë ta vlerësojnë edhe sot e kësaj dite ish presidentin e tyre të dënuar për përvetësimin e donacioneve,madje si “peshqesh” në drejtim të federatës Greke kanë zgjedhur djalin e tij, Krisostomos Gagacis.
Ky është shqetësimi që ka Perez se fuqia e votës është e njëjtë edhe me vendet ku jo vetëm nuk bëhet asgjë për futbollin por janë të zhytura në korrupsion. Pra llogjika e Perez shkon tek ajo- kur ju nuk bëni asgjë për futbollistët e tu dhe për futbollin e vendit tuaj, me çfarë kriteri ju zhvlerësoni arritjet e futbollistëve të klubit tim që kanë qenë më të suksesshmit gjatë gjithë vitit duke fituar të dyja trofetë, Champions League e Kampionatin Europian dhe ata vendosin Rodrin me vetëm një trofe në nivel europian, atë të Kamiponit të Europës. Dhe këtu këmbana bie tek gazetari jonë sportiv Besnik Dizdari ku vota e tij lirë duke u hedhur bashkë me votën e presidentit për të tjera qëllime, por që shkon larg llogjikës dhe kritereve ku përcaktohet fituesi na bëjnë gazi i botës a thua se ne sportdashësit e thjeshtë ua kemi për borxh që të na cilësojnë Shqipërinë vendin e xhunglës dhe shqiptarët si njerëz “të hypyr majë pemëve”. Pra në vend që të ishim korrekt në përgjegjësitë tona dhe të pa fjalë, se fundja fundit kur atje shkoni për të na përfaqësuar me të drejtën e votës së gazetarit dhe të presidentit , ju nuk jeni më as Besnik Dizdari dhe as Armando Duka, por jeni vetëm një emër me peshë të randë, që quhet SHQIPTARIA.