Data e zgjedhjeve 2025 / PD bojkoton, Begaj pret përfaqësuesit e PS dhe Celibashin
Ditën e sotme ishte caktuar takimi i Presidentit, Bajram Begaj me përfaqësuesit e dy partive më të mëdha në vend asaj Socialiste dhe Demokratike ku kjo e fundit ka bojkotuar këtë mbledhje.
Raportohet se përfaqësues të Partisë Socialiste konkretisht kryetari i grupit parlamentar Niko Peleshi si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi kanë nisur takimin me Presidentin Begaj sa i përket datës së zgjedhjeve.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi do të jetë i fundit që do të mbajë takim me Presidentin Begaj sa i takon diskutimeve lidhur me datën e zgjedhjeve të 2025, i cili pritet të mbërrijë rreth orës 12:30.
Ndërkohë bojkoti i Partisë Demokratike ishte paralajmëruar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili e ka cilësuar farsë takimin e datës 25 Nëntor me kreun e shtetit, pasi sipas tij data e zgjedhjeve është caktuar nga Rama-Balla dhe se Presidenti Begaj pritet vetëm të nënshkruajë e vulosë vullnetin e partisë në pushtet.
Kreu i shtetit vijoi konsultimet me disa prej drejtuesve të partive parlamentare ku 4 përfaqësuesit e partive të vogla i kanë propozuar datën 4 Maj.
/a.r