Gjashtë ditë “roje” për të vrarë Reçin! Polici e qëlloi edhe më 8 nëntor, por plumbi s’e kapi!
Policia e Tiranës njoftoi ditën e djeshme se arrestoi vëllezërit Shkëlqim (oficer policie në komisariatin nr.2 në kryeqytet) dhe Florian Duka. Vëllezërit Duka, 48 dhe 45 cjeç dyshohet se kanë ekzekutuar biznesmenin Eduart Reçi mbrëmjen e 13 nëntorit.
Gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene, mëson se Reçi u ndoq për 6 ditë nga autori i dyshuar i vrasjes, Shkëlqim Duka.
Përmes pamjeve filmike, është vërtetuar se 48-vjeçari e ka ruajtur për 6 ditë Eduart Reçin.
Nga data 8 nëntor deri më 13 nëntor, natën e krimit, Shkëlqim Duka ka qëndruar i fshehur në një shkallë metalike të një hoteli ngjitur me lokalin e tij ku kishte pamje vizuale nga oborri i pallatit të Eduart Reçit.
Gjithashtu, përmes pamjeve filmike, policia ka parë një person i cili pozicionohet në pozicion qitje me një armë në dukje me dylbi.
Nga data 8 deri në 13 nëntor, Shkëlqim Duka e ka pritur Eduart Reçin nga ora 7 deri në 11 të darkës për 6 ditë me radhë. Vetëm në datën 11 nuk e ka ruajtur pasi ka qenë në punë në detyrë.
Policia ka dyshime që edhe më datën 8 nëntor autori ka qëlluar por plumbi nuk ka shënjestruar objektivin.
Ditën e djeshme, pas arrestimit, policia gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit, gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florian dhe Shkëlqim Duka.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, njoftoi policia ditën e sotme.
NGJARJA
Eduart Reçi u ekzekutua në një atentat të organizuar pranë pallatit ku jetonte, të cilin e kishte ndërtuar edhe vetë.
Autorët e krimit raportohet se kanë pritur derisa Eduart Reçi të dilte nga banesa dhe e kanë qëlluar, dyshohet, nga distanca.
Bizmesmeni i ndërtimit, i cili dikur ka qenë punonjës i SHISH, mori një plumb të vetëm në kokë dhe u dërgua te Trauma, por nuk arriti të mbijetonte.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës (13 Nëntor) rreth orës 23:00, në rrugën “Faik Konica”, ndërsa mësohet se kamerat e sigurisë kanë filmuar vetëm momentin kur vikima është qëlluar me plumb dhe është rrëzuar në tokë, por jo atentatorët.
Biznesmeni është baba i dy fëmijëve, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte.
/a.r