Këta të bëjnë me zor ta duash Enver Hoxhën

Nga Frrok Çupi

Kur u zbardh dita sot, as që e kisha mendjen se kush ka lindur në 16 Nëntor. Një nga të përjetshmit e fiksuar me Enver Hoxhën, sapo pa datën 16, nuk u mendua cili muaj, nisi të mallkojë ‘djallin’ që ka lindur sot (!).

Enver Hoxha u bë me dy ditëlindje; njeriu që shkroi për ditëlindjen, me siguri ka humbur pak kohë nga jeta e tij, e ka hidhëruar mëngjesin, i ka vrarë ca si shumë qeliza, dhe është bërë më i paqetë.

Ditëlindja e ‘djallit’ iu prish ditën dhe jetën; madje u jep helm që ua shpërndajnë edhe të tjerëve. Një jetë të tërë, një Parti e lindur si ‘Demokratike’, bie dhe zgjohet me Enver Hoxhën. Bën sikur është antikomuniste, por në fakt është në qelizë enveriste. Po t’i ndahet sot Enverit, atëherë çfarë mbeti? Mbetën vetëm disa gërmadha që këta i krijuan mbi themelet e veprave të ‘Djallit’. Njësoj si në ditë- mortin e të vdekurit: ‘Ishte njeri dhe u bë fjalë!’, thuhet në funeral.

Vetë antikomunizmi ndërtoi skemën e përjetësisë së komunizmit. ‘Dil e fol, dil e sulmo, dil e shaj, dil e mallko!’, kjo ishte. ‘Fjalë, fjalë, fjalë…. Emër, emër, emër!’. Kështu ngulitet më mirë.

Që në gushtin e vitit 1991 pata shkruar:

-Njerëz, hapni sytë, Saliu nuk është larg nga Enveri. Saliu s’ka punë tjetër veçse të na flasë gjithë ditën për Enver Hoxhën. Flet keq, sigurisht; se nuk mund të flasë mirë. E shan, e fyen, e shpif, e rreh në varr… Përfytyrimi im për këtë ‘luftë’ kundër diktatorit është ky: “Saliu ka gjetur teatrin si të mos ndahet nga Enveri. Ka marrë kamxhikun dhe qëllon mbi Enverin. Por për ta qëlluar pa pushim atij tjetrit duhet t’i rrish shumë afër. Enveri është në karrocën e vet, me të cilën eci gjatë regjimit të tij derisa ngeci, populli ngeli me talone ushqimore. Saliu po aty. Edhe PD me karrocën e vet ndodhet në të njëjtën rrugë e shpejtësi…

Tani njeriu ngrihet në mëngjes e i duket sikur është data 16 tetor. Çdo muaj është tetor dhe data 16. Çdo protestë e ‘antikomunistëve’ thërret në skenë Enverin. Enverin e thërrasin kudo. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga koha kur ditëlindja e diktatorit festohej hapur, nga bulevardi në familje; nga Konispoli në Tropojë. Veçse tani festohet më ngushtë dhe në një mënyrë më të ndezur: Vetëm për vetëm, ose me dy tre idhnakë. Idhnaku kundër në fakt është i dashuruari më i zjarrtë  pro Enverit. Ai sot vret disa qeliza njerëzore për shkak të ‘epshit’ ndaj Enverit; atëherë nuk i harxhonin shumica veçse bënin adetin.

Atëherë këta që kanë ‘zjarr’ sot, ishin ose në burgje, ose të internuar, ose të deklasuar rrugëve të fshatit. Por jo se nuk e dashuronin Enver Hoxhën. Madje pjesa më e madhe e urrejtjes që thithën nëpër kampe ndëshkimi, ishte krijuar pse ‘jo këta, por disa të tjerë’ kishin të drejtë t’i rrinin pranë Partisë. Edhe sot e kësaj dite, me të njëjtin epsh. Nga burgjet ku vuajtën dënime, ‘politikët’ dolën më shumë komunistë se këta që ishin në rrethinat e burgut. Askush prej tyre, pas viteve ‘50, nuk kishte më ide politike. Të burgosur fatkeqe, por refuge.

Megjithatë ‘sahatin’ e kanë të fiksuar në sloganin ‘antikomunist’ ( lexo prokomunist)  që e përsëritin mes njëri tjetrit. Edhe liderin shpirtëror e preferuan nga komunistët më të egër të vendit. Sali Berisha është komunisti i  fundit që ka mbetur në Europën ish- komuniste, por quhet udhëheqës i ‘antikomunistëve’. Këta vdesin akoma për të dhe shkruajnë për ditëlindjen e Enverit. Siç  antikomunistët më të këqij janë komunistët e këqij; ashtu edhe të burgosurit më të këqij janë ata që nuk harrojnë Enver Hoxhën. Këta nuk jetojnë as jetën e tyre, në emër të të cilës thonë se ‘u ka ngelur gozhdë’ komunizmi.

Njerëzit që kanë lindur ditët pas vdekjes së Enver Hoxhës tani janë 39- 40 vjeç. Disa prej tyre janë ministra ose eksponentë të laboratorëve të Inteligjencies Artificiale…

Mirëpo ‘antikomunistët’ u rrinë në vesh si mizë kali.

Back to top button