Ligji mund të bëhet shembull për botën, Australia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Australia ka prezantuar një ligj që mund të bëhet shembull në mbarë botën për garantimin e sigurisë për fëmijët. Ky shtet po ndalon përdorimin e të gjitha rrjeteve sociale, përfshirë TikTok, Instagram dhe X, nga të gjithë ata që janë nën 16 vjeç.

Vendimi vjen pas vetëvrasjes së një 12-vjeçare në shtator. Prindërit e saj thanë se vite të shumtë të bullizimit online kanë ndikuar në veprimin e saj tragjik. Kryeministri i Australisë Anthony Albanese minimizoi shqetësimet e privatësisë në lidhje me ndalimin e propozuar nga qeveria e tij për mediat sociale për moshat nën 16 vjeç, duke thënë se firmave do t’u kërkohet të shkatërrojnë të dhënat personale të përdorura për të verifikuar moshat e përdoruesve.

“Ne po bëjmë më shumë sesa vendosjen e një moshe të re minimale prej 16 vjeç për mediat sociale. Ne po vendosim një standard të ri të komunitetit, duke e bërë të qartë se kompanitë e mediave sociale kanë një përgjegjësi sociale dhe duke dërguar një mesazh për të gjitha ato nëna dhe baballarë që janë të shqetësuar në lidhje me ndikimin që kanë mediat sociale në mirëqenien e fëmijëve të tyre, shëndetin e tyre mendor, besimin e tyre dhe ndjenjën e tyre për veten, ai mesazh është i thjeshtë: Ne jemi në anën tuaj”, tha kryeministri Albanese.

Australia planifikon të provojë një sistem verifikimi të moshës që mund të përfshijë biometrikë ose identifikim qeveritar për të zbatuar një kufi të moshës në mediat sociale, disa nga kontrollet më të ashpra të vendosura nga çdo vend deri më sot. Kryeministri theksoi se shtimi i dhunës nga rrjetet sociale, veçanërisht tek të rinjtë, është një shqetësim me të cilin përballen qeveritë e mbarë botës.

Ai sinjalizoi se liderët e shumë vendeve të tjera mund të ndjekin ligjin e tij si shembull.

“Kur bëhet fjalë për të rinjtë, ne kemi një përgjegjësi të veçantë dhe kjo është mundësia para nesh. Le ta shfrytëzojmë, t’u kthejmë fëmijëve fëmijërinë e tyre, t’u japim prindërve një qetësi të re shpirtërore”, shtoi Albanese.

Propozimi është kufiri më i lartë i moshës i vendosur nga çdo vend, dhe nuk do të ketë asnjë përjashtim për pëlqimin prindëror dhe asnjë përjashtim për llogaritë para-ekzistuese. Platformat përballen me gjoba deri në 32 milionë dollarë për mospërputhje me legjislacionin.

Back to top button