“Mario bullizohej”/ Vrasja e Martin Canit, shokon gazetarja: Ishte djalë i urtë, dikush e ka motivuar për krimin
Gazetarja Esmeralda Keta ishte e ftuar ditën e sotme në emisionin “Breaking”, në Top News, ku ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë, ku ndërroi jetë Martin Cani.
Ajo ka thënë se Mario Perlleshi, autori i dyshuar i ngjarjes, ishte një djalë i urtë, por që prej shumë kohësh bullizohej.
“Unë kam pasur mundësi të flas me fëmijë që i kanë njohur edhe Marion edhe Martinin. Ata tregojnë se Mario ka qenë një fëmijë i bullizuar për një kohë të gjatë. Tregojnë se nuk ka qenë tip agresiv, dhe një pjesë e fëmijëve janë dhe të habitur me këtë sjellje. Po ky është një lloj bullizmi që vjen nga të gjithë ne. Kur isha tek shkolla po pyesja për ngjarjen, një prind më tha ‘Po nuk ke çfarë bën, janë këta të ardhurit, që duan të pranohen dhe bëjnë këto gjëra’. Ndoshta të gjithë nga pak, e kemi mprehur atë thikën që ai mori dhe vrau bashkëmoshatarin. Jemi të gjithë përgjegjës, nuk duhet të kërkojmë vetëm nga institucionet.
Unë nuk mund ta pranoj që një fëmijë 14-vjeçar merr vetë thikën në çantë dhe vret një tjetër fëmijë. Mendoj që ka patur ndikim nga dikush tjetër.”– tha ajo.