PD nuk bën dot fushatë
Nga Artur Ajazi
I kishin varur shpresat tek Doktori, dhe ja tani, nuk arrijnë të bëjnë dot një fushatë elektorale. Mbyllja e dyerve atyre që tentonin të afroheshin në PD, denigrimi i emrave dhe figurave të reja, klima mbytëse dhe diktatoriale që nis nga “ish-lideri”, ka bërë që opozita e sotme, të shihet me dyshim. Kjo për faktin sepse nuk shihet në “horizont”, asnjë premisë që demokratët apo dhe shqiptarët, të presin nga PD-ja, ndonjë fushatë ndryshe. E them “ndryshe” sepse, pas 12 vitesh në opozitë, kushdo parti politike, do ti duhej të ishte e superpërgatitur nga çdo pikëpamje, si ajo njerëzore (përfaqësim me elita) por edhe nga programi që do ti duhej ti prezantohej shqiptarëve.
Deri sot, por edhe në muajt në vazhdim, mendoj se nuk ka gjasa të shohim as “prurjet e reja” dhe as programin “më të mirë nga kjo opozitë ”. Partisë Demokratike, në fushatën e 2025, do ti duhet të përballet me një qeverisje me arritje dhe suksese në çdo aspekt të jetës politike, ekonomike, sociale, shoqerore dhe ndërkombetare.
Duke u fokusuar tek një “vrimë e kavallit”, inceneratorët, rrugët dhe rrugicat, duket se opozita aktuale, ka humbur sensin e të bërit fushatë. Ato që janë punët e drejtësisë, nuk duhen ngatërruar me punët e partisë. Berisha, Muli, Belindi, madje edhe Salianji nga burgu, po merren vetëm me akuza, letra bakalli, dhe denoncime të “qytetarit dixhital”, dhe aspak me hartimin me urgjencë të një programi plot me ide dhe sygjerime specialistesh, që ti paraprijë programit të Partisë Socialiste.
Opozita aktuale, merret gjithë ditën me evidenca dhe lista arrestimesh, hetimesh, gjykimesh, vendimesh apeli, dhe ka harruar se fushata elektorale, nuk është statistikë, por angazhim dhe prezantim programi konkurrues me partinë tjeter. Në qoftëse i kthehemi sado pak viteve të shkuara, dhe kujtojmë fushatat e PD, konstatojmë se edhe asokohe, ajo merrej në fjalime dhe prezantime kandidatesh, më tepër me akuza personale, se me premtime faktike , duke ngjallur pabesim dhe pashpresë tek shqiptarët. Ndaj mendoj se edhe kjo fushatë elektorale, e cila pritej të ishte nga më cilësoret, për një parti politike që qendron prej 12 vitesh në “stol”, do të jetë plotësisht si të tjerat për PD.
Një parti që mbyllet, dhe kufirin e ka deri tek lideri saj, një parti që nuk sheh më larg se dera e selisë, një parti që merret më shumë me veshjen e kryeministrit , dhe aspak me problemet e votuesve të saj, natyrisht nuk mund të dijë të bëjë fushatë elektorale, dhe nuk mund të ketë ambicje serioze për të vajtur drejt pushtetit. Arsyeja ? I mungojnë votat e shumicës së shqiptarëve, madje po i pakësohen edhe ato të pakicës së pakicës.