Sali Berisha: Kur të vij në qeveri do shpall non-grata Alex Soros, Rama në azil
Ish-kryeministri Sali Berisha, nën arrest shtëpiak prej një viti për aferën e dosjes “Partizani”, dha sot konferencën e radhës për shtyp.
Duket se vota e amerikanëve për Donald Trump, ka frymëzuar Berishën për të goditur Alex Soros. Berisha tha se amerikanët ne 5 nëntor i dhanë një goditje të fuqishme rivalit të tij dhe premtoi se me ardhjen e tij në pushtet do të bëjë të njëjtën gjë në Tiranë me përfaqësuesit e Soros.
“Është një betejë jo e lehtë, por natyrisht shqiptarët nuk do kenë më çdo dy javë mysafir të paftuar për shumicën e tyre, kryemafiozin Aleksis Soros. E garantoj Aleksis Soros se në aktet e para, fondacioni i tij do mbyllet njëherë e përgjithmonë në Shqipëri dhe ai do shpallet non-grata”, tha Berisha.
Ndërkohë i mëshon spekulimeve dhe tregon se Edi Rama po planifikon azilin.
“Të dhënat janë se ai ka parashikuar një ekzil diku sepse e di që do jetë ‘wanted’ jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe drejtësia e vendeve të tjera. Mund të shkojë edhe te Lukashenko, se i lidh Alabari me Lukashenkon”, tha Berisha.