Shqipëria, vend çudirash
Nga Artur Ajazi
Shqipëria e vockël, duket se ka “luksin” të merret me emrat e mëdhanj. Në media nuk gjen gjë tjetër prej 1 jave, veçse lajme për Trump. Jetën, dashnoret, familjen, gjyqet, miqtë, armiqtë, pasurinë e tij, madje shkojnë deri atje sa thonë se “Bleona Qerreti na qenkësh futur mik për ti hequr damkën “non-grata” Doktorit”.
Në kafanera, restorante, në rradha dyqanesh celulari apo markete, do të dëgjosh nga karrocieri tek biznesmeni dhe zyrtari, të flasë për Trump. Nuk ka lajme të tjera në faqet e gazetave, në studiot e televizioneve, veçse flitet për Trump. Por ajo që bie më në sy, ësht fakti se në PD, gjithë stafi nga roja e selisë deri tek kryetari saj Berisha, merren me lajme dhe trillime lajmesh për Trump.
Dikush thotë “Belindi e ka mik, ja ka zënë në gojë Trump edhe problemin e Berishës, kemi shpresë se do t’ja heqë non-grata”. Një tjetër shkon më tej, “Trump do ta largojë Ramën nga pushteti, do sjellë Berishën”, apo dhe se “Trump i ka dobësi demokratët e Shqipërisë”. Ç’nuk sajojnë në këtë vend, sikur të ishim qendra e botës, apo ndonjë vend i madh me nja 200 milion banorë. Kot nuk thonë, “I vogli të përgojon”.
Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Edhe më fukarai, madje edhe ai që lyp para rrugëve, “shpresën po e mban këtej e tutje tek Trump”.Besoj se kjo situatë nuk ngjet kurrë në Kinë, Francë, Gjermani, Itali apo gjetkë. Andej jeta zjen, punohet, dhe nuk rrihet nga 4 orë në lokal duke rrufitur kafenë, dhe duke u marrë me Trumpin, biden, apo Putin.
E kemi trashëgim nga brezat. Qysh në kohët e largëta, me Sulltanin merrej edhe lopçari, edhe zejtari, edhe zyrtari apo dhe ushtari. Dhe kjo vazhdoi edhe më vonë. Në komunizëm, në çdo 2-3 veta, bisedohej “çfarë hëngri sekretari parë, çfarë ngjyre e kishte pardesynë shoku Ramiz, apo sa kapele të bukur kishte shoku Hysni”. Pastaj hynin edhe në të thella, duke arritur të njihnin edhe kushërinjtë e shoqes Lenka, për ti gjetur mik pas miku, për ndonjë autorizim frigoriferi. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh edhe sot e kësaj dite.
Sa gdhihet, dhe derisa ngryset, lokalet mbushen plot me kafexhinj, rakixhinj, dhe tjerrin gjithë ditën muhabete pazari. Dikush ankohet se “nuk ka lekë, nuk ka punë, nuk na ndihmon bashkie apo qeveria”, dhe kur i afrohet ndonjë vend pune , pyetja e parë është “sa paguan ai, po pse mua më gjete ti, nuk ka tjetër”.
U pëlqen parazitizmi, pasi shtyhet më mirë koha duke bërë llaka-llaka nga 2 orë në lokale për politikën e brëndshme dhe atë nderkombëtare, se të shikojnë hallin dhe problemin e tyre. Një i huaj ka thënë se “në Shqipëri takova 2 milion politikanë”. Dhe pastaj thonë se “fajin e ka Rama”.