SPAK do të fusë në “skaner” të gjithë ata që hyjnë e dalin në Shqipëri

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar pritet që të fusë në “skaner” të gjitha ata pasagjerë të cilët hyjnë dhe dalin nga Shqipëria, qoftë në rrugë ajrore qofte dhe në atë detare.

Sipas asaj që A2cnn raporton mësohet se përfshirja e SPAK në listën e institucioneve kompetente të këtij lloji është propozuar nga Ministria e Brendshme në një ligj  “për mbledhjen, përpunimin, transmetimin, ruajtjen, fshirjen, mbrojtjen dhe garantimin e të dhënave të informacionit të pasagjerit në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas këtij drafti i cili është në fazën e konsultimit me ekspertët, përpunimin e të dhënave të pasagjerëve, me qëllim parandalimin, zbulimin, hetimin e ndjekjen penale të veprave të rënda, apo që kanë lidhje me “terrorizmin”, do të mund ta bëjnë 8 institucione, mes të cilave edhe Struktura e Posaçme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.

Projektligji synon të përqendrojë tek një autoritet të vetëm në Policinë e Shtetit, Sektori i Inteligjencës së Pasagjerit, marrjen grumbullimin dhe përdorimin e të dhënave të pasagjerit.

Drafti parashikon që çdo e dhënë e pasagjerit, ato paraprake dhe të rezervimit, përfshi informacionin mbi detajet e biletës, bagazhet, adresat, kontaktet telefonike, e deri tek kodet e konfirmimit të rezervimit do të transmetohen nga kompanitë e transportit te ky sektor.

Për këtë janë parashikuar edhe afate kohore, të lidhura ngushtë me orën e planifikuar të nisjes së fluturimit a lundrimit, apo të çastit kur kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin. Sipas projektligjit, Sektori i Inteligjencës së Pasagjerit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale kryen transferim ndërkombëtar të të dhënave me vendet anëtare të BE-së, me Interpol dhe Europol, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit operacional dhe me vendet jo anëtare të BE-së kur vlerësohet e nevojshme.

Referuar relacionit të draftit të firmosur nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, objektiv i tij është përshtatshmëria me standardet ligjore të Bashkimit Europian.

Back to top button