U përpoq të mbajë në jetë Hamza Licin, misteri i personit të 3-të në masakrën e Shkodrës
Një video e shkurtër pas masakrës në Dobraç ka ngjallur shumë reagime. Kjo prej dyshimeve që u ngritën se personi në këto pamje mund të jetë Ibrahim Lici, një prej më të kërkuarve nga autoritetet policore. Sipas raportimeve të deritanishme, ai ka qëndruar në vendin e ngjarjes për rreth 15 minuta, madje dhe krah efektivëve të policisë.
Sonte në “Opinion”, gazetarja Emi Kalaja dha disa detaje më shumë sa i takon pikërisht këtij “misteri”. Ajo që thekson Kalaja është se ai i ka dhënë ndihmën e parë njërit prej viktimave, Hamza Licit. Kjo përforcon dyshimet se ky personazh mund të jetë vëllai i të ndjerit.
“Profil i rezervuar sa i takon fotove, Ibrahim Lici. Policia e Shtetit disponon foto të tij të disa viteve më parë, e fundit është dorëzuar nga vetë ai gjatë kohës që u ndalua e u la i lirë për mungesë provash në shtetin turk. Por, në këtë foto ai shfaqet me syze. Ekspertët e gjuhës së trupit thonë se bëhet fjalë për një person që është më shumë se një dëshmitar në vendin e ngjarjes, ai çalon, ka gjurmë gjaku në gishtërinjtë e tij dhe duket shumë i tensionuar. Mund të ketë qenë i përfshirë në ngjarje. Ky djalë sipas dëshmitarëve ka qenë personi që ka nxjerrë Hamza Licin nga automjeti, i ka bërë frymëmarrje artificiale, e ka ndihmuar…I ka mbështetur kokën në trotuar. Ka pritur autoambulancën për të marrë trupin. Ai shikon në të dy krahët e rrugës në pritje të autoambulancës. Është larguar me një automjet më pas”, tha Kalaja.
Kujtojmë se atentati u raportua pasditen e 30 Tetorit, me një bilanc fillestar të dy viktimave e dy të plagosurve. Por pak ditë më vonë, humbën jetën edhe dy të plagosurit. Dyshohet se në shënjestër të autorëve ka qenë automjeti në të cilin ndodheshin Arlind Bushati e Hamza Lici, ndërsa krejtësisht pa faj u gjendën në vendin fatkeq çifti Bashkim e Flutura Basha.