VIDEO / Dokumentari “Në besë të shqiptarëve”, Rudina Xhunga ‘shkon’ në Kryeministri
Është promovuar ditën e sotme në ambientet e galerisë COD në kryeministri dokumentari i i ri i gazetares dhe autores së njohur Rudina Xhunga. Eventi mblodhi figura të njohura nga fusha e artit, kulturës dhe gazetarisë.
Dokumentari i titulluar “Në besë të shqiptarëve”, na sjell historinë kur një avion amerikan që po shkonte nga Catania në Bari, me mjekë dhe infermierë, bie në liqenin e Belshit, Elbasan.
Kjo ngjarje është shuar nga kujtesa kolektive për rreth pesë dekada. “Janë dhjetëra histori përgjatë gjithë dokumentarit që tregojnë se shqiptarët i dhanë besën amerikanëve dhe ia dolën t’i shpëtojnë të gjallë. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e kanë këtë histori si një gur të çmuar aleance dhe bese.”- thuhet në lajmërimin e eventit.
Ndërsa gazetarja Rudina Xhunga shkruan se u promovua “dokumentari që çel një dritare në histori. Historinë tonë. Të besës, premtimit të dhënë, fjalës së mbajtur. Mos kërkoni shembuj tjetërkund. Heronjtë jemi vete ne, shqiptarët. Duhet veç të nisim të flasim, të tregojmë kush jemi. Duhet bërë për vete dhe fëmijët tanë që kërkojnë shembuj. Dokumentarë si ky, bëjnë dritë në historinë e më të mirës që mbajmë brenda. Agnes Jensen ishte infermiere amerikane, kur avioni i saj ra ne Shqiperi. Nje ditë nëntori 1943. 62 ditë më pas, ndërsa kaloi në këmbë, pothuaj gjithë jugun, në mes të Operacionit të Dimrit, ia doli të arrijë në Karaburun, këtu ku jam unë sonte, në një anije nafte, për të ikur drejt Barit. Agnes shpëtoi, sepse ishte në besë të Shqipërisë. Nuk e harroi kurrë. E tregoi në një libër mirënjohjen dhe dashurinë. Radha jonë t’ju njohim me shqiptarët që shpëtuan Agnes Jensen, 80 vite më parë. “Në besë të shqiptarëve”. – shkruan Rudina në rrjetet sociale.
Ky dokumentar na sjell një dritë të re në shumë ngjarje historike që përndryshe për shqiptarët e pas socializmit do kishin mbetur të pazbuluara ose të keqtrajtuara në kuptimin që mund të ishin përdorur politikisht për arsye propaganda si histori me diversantë.
Një vepër arti që nuk duhet humbur.
Promovohet "Në besë të shqiptarëve"/ Një dokumentar nga Rudina Xhunga pic.twitter.com/lwovyLIEA9
— Gazeta Tema (@GazetaTema) November 25, 2024