Pengu i 27 viteve, nëna rrëfen takimin me djalin e vdekur në botën e ëndrrave
27 vite më parë, familja e Fluturës u prek nga një tragjedi, humbja e djalit të madh, Admirit në moshën 22-vjeçare. Nëna ndau me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, kujtimin e hidhur të ditës së fundit me të birin, mëngjesin kur ajo e përcolli për në punë duke i kënduar dy këngë vaji pa e ditur se mbrëmja nuk do ta sillte në shtëpi.
Admiri humbi jetën në një aksident atë mbrëmje dhe për familjen ishte një goditje e rëndë. Punëdhënësi i djalit, Ilir Harxhi qe personi që jo vetëm kujdesej për Admirin kur ishte gjallë, por edhe atë ditë të trishtë ai e respektoi deri në fund duke paguar çdo shpenzim. Pas 27 vitesh, Fluturën e ka sjellë në studio një peng në trajtën e një ëndrre.
Flutura: Unë sivjet e pashë në ëndërr. Sikur isha atje ku u rrit te shtëpia, më kishte kthyer shpinën. I thashë unë pse më ke kthyer shpinën? Po punonte me lopatë. Çfarë ke i thashë unë, kthehu të të shoh. “Jo, më lër rehat se po punoj për Ilirin”, tha.
Ardit Gjebrea: Si për Ilirin?
Flutura: Nuk e di, ja aq më tha. “Po punoj për Ilirin, më lër se jam duke punuar për Ilirin”, tha. Edhe unë u zgjova, thosha unë pse… faktikisht mua m’u sëmur burri pasi djali vdiq, kaloi depresion dhe ashtu vdiq, i sëmurë. Shëtita nëpër spitale me atë dhe u shkëputa nga Iliri.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë që ti the që Iliri ka ndenjur tri ditë e tri net aty.
Flutura: Tri ditë e tri net bashkë me të gjithë njerëzit aty. Atë ditë që vdiq çuni, mua më binte të fikët herë pas here, nuk isha në vete. Burri me një tronditje, me gjithë funeralin, me gjithë ato të çunit, ai e dinte se ne ishim keq nga gjendja ekonomike se ata qanin hallet, i tregonte djali, i dinte. I ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet, me funeral, me arkivol, me drekën që kemi dhënë, kishte mbi 200 vetë, i ka paguar komplet Iliri dhe nga hallet që kam pasur dhe problemet, nuk m’u dha mundësia të shkoj e t’i them Ilirit të paktën t’i kisha larë ato të drekës apo.. gjithmonë e kisha peng, arkivoli i çunit pa paguar. Nuk m’u dha mundësia.
/a.r