Skema e rekrutimit/ Dosja I.M: Rezidenti, agjenti, informatori dhe strehuesi, si i bënte bashkëpunëtorët Sigurimi i Shtetit?
Ndonëse kanë kaluar mëse 30 vjet nga rënia e regjimit komunist, ende opinioni publik trazohet sa herë që bie fjala për ish-Sigurimin e Shtetit dhe ata që kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me të.
Ditët e fundit Autoriteti i Dosjeve ka publikuar një njoftim se dhe ish-Presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpuntor i Sigurimit.
Për këtë gjë vjen në ndihmë “Platforma e Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme”, e cila miratohej nga Byroja Politike dhe ka ndryshuar, më saktë është plotësuar disa herë nga viti 1948, kur doli edhe Platforma e Parë, deri në vitin 1985, kur ajo u ndryshua për herë të fundit, e cila mban nënshkrimin e Enver Hoxhës.
Platforma, ishte e njëjtë për gjithë organet e Punëve të Brendshme, pra si për Sigurimin, ashtu edhe Policinë e Shtetit, sepse të gjitha këto organe punonin me bashkëpunëtorë, por tek to ndryshonte drejtimi i punës. Pra, nëse policia e përdorte bashkëpunëtorin për të kapur kriminelin apo hajdutin, bashkëpunëtori i Sigurimit përdorej për t’i shërbyer Partisë-Shtet.
Në Platformë shkruhej se “për të zbuluar, parandaluar, dokumentuar e goditur veprimtarinë e armiqve të jashtëm e të brendshëm të republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe të elementëve keqbërës, vetëm organet e Sigurimit të Shtetit dhe sektorët operativë të Policisë Popullore kanë të drejtë të ndërtojnë rrjetin sekret informativ të përbërë nga rezidentë, agjentë, informatorë dhe strehues”.
Tërheqja në bashkëpunim sekret bëhej mbi baza patriotike, vullnetare e detyrimi dhe kurdoherë për qëllime të caktuara operative. Nëse vlerësojmë dokumentacionin për këtë gjë, shohim se rastet më të shumta janë tërheqjet në bashkëpunim mbi bazë patriotike e vullnetare dhe më pak me shtrëngim. Kjo edhe për faktin se procedurat për këtë gjë ishin më të komplikuara, sikurse do t’i shohim edhe më poshtë.
Rezidenti ishte bashkëpunëtor sekret i organeve të punëve të brendshme, i cili drejtonte një grup informatorësh. Ai ishte ndihmësi ilegal i punëtorit operativ, nën drejtimin e të cilit ai udhëhiqte grupin e informatorëve që mbante në lidhje. Grupi që ai drejtonte, nuk mund të ishte më shumë se 8 bashkëpunëtorë. Rekrutimin e rezidentit e kryente punëtori operativ dhe gjatë procesit të rekrutimit atij duhej ti merrej deklarata e bashkëpunimit. Rezidenti mund të shpërblehej edhe me rrogë të përmuajshme ose kohë pas kohe, sipas rezultateve të punës. Nëse i lidhej rrogë e përmuajshme, aprovimin e saj e bënte Ministri i Brendshëm.
Agjenti ishte një bashkëpunëtor i kualifikuar, i cili gëzonte besimin e elementëve armiq, penetronte thellë në veprimtarinë e tyre dhe përdorej për të zbuluar këtë veprimtari.
Agjenti rekrutohej parimisht nga radhët e vetë elementit armik (zakonisht me material komprometues). Agjenti rekrutohej në çdo rast për qëllime dhe çështje konkrete. Materiali komprometues duhej të ishte bindës dhe të mos i linte kandidatit për agjent mundësi mospranimi. Studimin për rekrutimin e agjentit e bënte punëtori operativ, i cili pasi mbaronte studimin e kandidaturës i paraqiste propozimin me shkrim shefit të seksionit dhe ky e përcillte te kryetari i degës së punëve të brendshme. Kryetari i degës së punëve të brendshme, pasi jepte pëlqimin e nënshkruante propozimin dhe ja përcillte atë Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit (degës përkatëse) dhe dega përkatëse Zv./drejtorit ose drejtorit të drejtorisë për aprovim. Aprovimin për rekrutim të agjentit me material shtrëngues/ komprometues e jepte Ministri ose zv./Ministri përkatës.
Rekrutimi i agjentit nuk mund të kryhej nga çdo punëtor operativ, por zgjidheshin ata më të aftët. Ndër ta këtë të drejtë e kishin kryetarët dhe zv.kryetarët e degës së punëve të brendshme, shefat e seksionit të aparatit qendror, drejtorët dhe zv.drejtorët e Sigurimit të Shtetit.
Pra, tërheqja në bashkëpunim sekret me detyrim bëhej mbi bazën e të dhënave operative, kallëzimeve ose dokumenteve të tjera të vërtetuara, që provonin se kandidati kishte kryer një vepër penale. Në këtë rast, tërheqja në bashkëpunim kryhej në gjendje të lirë ose arresti. Kur qytetari ishte në gjendje të lirë, tërheqja në bashkëpunim me detyrim bëhej nëpërmjet bashkëbisedimit me personin. Ndërsa, në rastet ku ndaj personit ishte vendosur masa e arrestimit sekret, tërheqja në bashkëpunim bëhej me miratimin e organeve drejtuese të Ministrisë së Brendshme. Në këto raste, ndalimi për tërheqjen në bashkëpunim bëhej brenda një afati prej 72 orësh.
Sigurimi i Shtetit rekrutonte bashkëpunëtorë edhe nga radhët e komunistëve, por në mënyrë të kufizuar dhe kryesisht për të kryer detyrën e rezidentit. Për bashkëpunëtorët anëtar partie, nuk lejohej të merrej deklaratë bashkëpunimi.
Po ashtu, nuk ishte e detyrueshme që gjatë rekrutimit agjentit ti merrej deklarata e bashkëpunimit. Në rast se deklarata nuk merrej, punëtori operativ shkruante në raportin përfundimtar arsyen e mosmarrjes së deklaratës. Kështu që, në dosjen e agjentit ekzistonte dokumenti që vërtetonte mungesën e deklaratës së bashkëpunimit. Zakonisht agjenti nuk shpërblehej me pagë mujore, por herë pas here, nëse ishte nevoja. Sado i sprovuar të ishte agjenti, punëtori operativ duhej të verifikonte të dhënat që ai jepte në forma të tjera, si psh. duke përdorur teknikë operative për regjistrim të bisedave. Nuk lejohej besimi absolut për të dhënat që jepte agjenti.
Informatori ishte një bashkëpunëtor sekret që përdorej për zbulimin e elementit “armik” dhe veprimtarinë armiqësore, për grumbullimin e fakteve të veprimtarisë armiqësore si edhe për zgjidhjen e detyrave të tjera operative. Ai kishte për detyrë të informonte Sigurimin në kohën e duhur për çdo gjë që zbulonte rreth veprimtarisë armiqësore. Informatori ishte më pak i kualifikuar në punën për zbulimin e veprimtarisë armiqësore dhe zotëronte më pak mundësi se agjenti. Informatori rekrutohej zakonisht mbi bazë patriotike ose vullnetare dhe më rrallë me material shtrëngues e komprometues. Në raste të veçanta, informatori mund të ishte edhe anëtar partie. Studimin për rekrutim të informatorit e bënte punëtori operativ, i cili i paraqet raport-propozimin për rekrutim eprorit direkt dhe pasi kryetari i degës jepte pëlqimin, kryhej biseda e tërheqjes në bashkëpunim.
Kandidati për bashkëpunëtor e zgjidhte vetë pseudonimin. Po ashtu, gjatë tërheqjes në bashkëpunim caktohej dhe parulla dhe kundërparulla si edhe detaje të tjera. Edhe për informatorin nuk ishte e nevojshme gjithmonë të merrej deklaratë bashkëpunimi sepse ai jepte raporte me shkrim, të cilat e dokumentonin bashkëpunimin. Informatori mund të rritej në detyrë, duke u bërë agjent apo rezident.
Strehuesi ishte i zoti i shtëpisë konspirative që përdorte Sigurimi për takim me bashkëpunëtorët. Ai ishte i detyruar të ruante konspiracionin dhe të lehtësonte takimin e punëtorit operativ me agjenturën. Veprimet për tërheqjen në bashkëpunim ishin njësoj si të informatorit, por ë duhej të nënshkruante deklaratën e bashkëpunimit, meqë ai nuk jepte informacion. Në rastet kur strehuesi jepte informacion, atij i hapej edhe dosja e punës sepse zakonisht kjo kategori nuk kishte dosje pune.
Për gjithë kategoritë e bashkëpunëtorëve si rezidentët, agjentët, informatorët dhe strehuesit hapej dosja personale e bashkëpunëtorit. Ajo krijohej pas bërjes së raportin përfundimtar të tërheqjes së personit në bashkëpunim. Për agjentët dhe informatorët, në të njëjtën kohë me dosjen personale hapej edhe dosja e punës. Po ashtu, për bashkëpunëtorët hapej kartela model 2 në dy kopje. Njëra shërbente për efekt kontrolli dhe tjetra për efekt statistikor. Në të gjitha rastet, kartelat e bashkëpunëtorëve nënshkruheshin nga kryetari i degës së punëve të brendshme.(Vox News)