Skënderbeu e Ali Pasha, “arkitektët” e fitoreve me “spiunë”
Nga Ergys ALUSHI
Gjergj Kastrioti Skënderbeu pati sukses në 29 beteja zhvilluar në 25 vjet, jo rastësisht. Në botime dhe shënime të ndryshme të kohës, nga autor vendas dhe të huaj, siç është libri i Marin Barletit apo dhe Fan Nolit në kohët e mëvonshme tregojnë se Skënderbeu ka pasur një rrjet të mirorganizuar informatorësh.
Në repartet e zbulimit ishin angazhuar njerëz të të gjitha shtresave duke filluar nga shtresat më të thjeshta e deri tek oficerë të lartë. Edhe vetë Skënderbeu apo njerëz të besuar të tij, si Moisi Golemi, mësohet të jenë marë me zbulim, duke i dhënë rëndësi të madhe taktikës së zbulimit, pa të cilin nuk do të kishte sukses ushtria e Skënderbeut.
Fillimet e organizimit të zbulimit datojnë që në nëntorin e largët të vitit 1443, kur nisi kryengritja e përgjithshme. Ja se çfarë thuhet ndër të tjera në fjalën e Skënderbeut në kuvendin e madh të Lezhës, më 2 mars 1443: ‘Ne s’kemi pse të trembemi e s’duhet të trembemi fare për ardhjen e tij (Sulltan Murati IItë), pasi për këtë më kanë njoftuar mirë njerëzit e tij të brendshëm”
Zbulimi në ushtri kishte një shtrirje shumë të gjerë, duke filluar që nga brenda Perandorisë Osmane e deri në qendrat e saj që kishin për qëllim veprime luftarake ndaj Shqipërisë, si në Ohër, Manastir e në zona të tjera. Zbulimi, rekrutonte dhe merrte të dhëna nga njerëz të ndryshëm si tregtarë që kishin marrëdhënie me këto zona, korrierë të ndryshëm, por edhe shqiptarë të thjeshtë, të cilët ishin “sy e veshë” për të mirën e vendit të tyre.
Të gjitha këto informacione grumbulloheshin për llogari të Këshillit të Lartë të Luftës, i cili më pas i përpunonte dhe përgatiste mbrojtjen apo sulmin aty ku mendohej se do të kishte mësymje të armikut, apo sukses në mundjen e tij.