Politika greke revoltohet me Ramën: Erdhi dhe na provokoi në vendin tonë, duhet të përgjigjemi
Deklarata e Kryeministrit Edi Rama të dielën e 3 nëntorit në takimin me emigrantët shqiptarë në Selanik ka shqetësuar Athinën zyrtare.
“Epiri i Veriut” është një term i vdekur dhe ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta ngjallin” tha Rama në takimin para shqiptarëve.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis në një konferencë për shtyp këtë të hënë tha se Vorio Epiri mundet të mos ekzistojë, por ekziston minoriteti grek në Shqipëri, të drejtat e të cilit, ai nënvizoi se Athina i konsideron si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Mundet që për zotin Rama të mos ekzistojë Vorio Epiri, por besoj se është diçka e sigurt që ekziston, minoriteti grek që jeton në Shqipëri dhe të drejtat e tij.
Respektimi i këtyre të drejtave dhe në përgjithësi respektimi i minoritetit kombëtar grek është një kusht thelbësor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ashtu siç e theksuan njëzëri 27 vendet e BE në mbledhjen e ministrave të Jashtëm.
Me pak fjalë, rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Athina, kalon nga Greqia dhe ka një parakusht të cilin askush nuk mund ta anashkalojë, që është respektimi i minoritetit kombëtar grek në Shqipëri”, tha Pavlos Marinakis, zëdhënës i Qeverisë së Greqisë
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës greke, duke i cilësuar provokime qëndrimet e Ramës në Selanik.
“Këtë sjellje provokuese nuk mund ta anashkalojmë pasi ai e thotë diçka të tillë në brenda tokës helene. Atëherë është e qartë se zoti Rama dëshiron të provokojë dhe ne duhet të përgjigjemi.
Për ne, termi Vorio Epir është në shpirtrat tanë, në zemrën tonë dhe nëse zoti Rama thotë se është i vdekur, kjo do të thotë që e shqetëson, sepse e di që ato territore janë Vorio Epiri”, tha Thanos Plevris, deputet i “Nea Demokratia”
“Zoti Rama duhet të bëhet i vetëdijshëm që rruga e e Shqipërisë drejt integrimit në BE kalon nëpërmjet respektimit të të drejtave të minoritetit grek në Epirin e Veriu”, deklaroi Giannis Sarakiotis, deputet i “Syriza”
Reagim pati dhe nga Ministria e Jashtme një ditë më parë.
“Historia midis dy vendeve nuk ndryshon”, tha Ministria e Jashtme në përgjigje të deklaratave të Ramës, duke iu referuar fjalës së kryeministrit shqiptar kur tha se disa individë ishin angazhuar në protestë kundër ardhjes së tij, duke përdorur fletushka dhe parulla që lidhen me termin e “Vorio Epirit”.