“Policia u fut dy orë me vonesë në zonë, pasi erdhi RENEA”, detaje të reja nga atentati i Dobraçit, gazetari: Autorët prezantoheshin si policë
Gazetari i kronikës së zezë Jul Kasapi ka zbuluar detaje të reja për ngjarjen e rëndë që tronditi Dobraçin më 30 tetor 2024, ku humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha.
I ftuar në Top Story Kasapi deklaroi se policia e Shkodrës është futur dy orë me vonesë në zonën e Dobraçit ku u bë atentati që pas la katër viktima, dy prej tyre të pafajshme dhe jo në shënjestër të autorëve.
Sipas tij policia është futur në zonë vetëm pasi ka mbërritur RENEA. Po ashtu ai tha se edhe ambulanca ka shkuar mbi 30 minuta me vonesë. Kasapi hedh dyshime edhe për vdekjen e burrë e grua që ndodheshin rastësisht në zonë, nëse këta të fundit janë përplasur nga mjeti i viktimave apo pas fshihet një tjetër skenar.
Ai tha se policia ka dështuar në parandalimin e këtij krimi, pasi nuk ka marrë parasysh kallëzimin e bërë rreth dy javë para ngjarjes nga Arlind Bushati, i cili mbeti viktimë. Ky i fundi kallëzoi se në qytet ishte tentuar që t’i bëhej atentat, por arma e autorëve nuk ishte shkrepur.
“Si ka mundësi që policia e Shkodrës është futur dy orë me vonesë në Dobraç, atëherë kur u futën forcat RENEA, ambulanca ka mbërritur 40 minuta me vonesë, ku jeta e 23 vjeçarit mund të shpëtohej, si nuk u gjet një automjet që u dogj vetëm 5 minuta larg Shkodrës, mjeti i autorëve?”, tha ai.
Më tej shtoi: “Sa e vërtetë është që makina e viktimave i ka rënë nga pas motorit të dy viktimave të tjera, burrë e grua? Apo mos ka ndonjë skenar tjetër? Policia së pari nuk ka dhënë asnjë gjë lidhur me armët e gjetura, asnjë detaj, tepër e mjegull për informacionet e tjera. Pse policia nuk mori parasysh kallëzimin e Bushatit, ku me video doli se ju bë një atentat, por nuk përfundoi sepse nuk shkrepi arma?”.
Gazetari deklaroi se dy javë para ngjarjes, personat që lëviznin me mjetin që u përdor në atentat prezantoheshin si efektivë policie teksa lëvizin nëpër Shkodër.
“Të dyshuarit lëviznin prej dy javësh në Shkodër, dhe prezantoheshin si efektivë policie, të paktën kështu deklamojnë në polici qytetarët e pyetur. Në momentin e atentatit makina ka qenë para viktimave dhe ata e kanë parakaluar, dhe më pas e kanë qëlluar nga pas.
Janë shpallur dy persona në kërkim, por pse nuk thotë policia që në gusht këta persona dyshohen për shkëmbim zjarri dhe janë paraqit në polici dhe më pas janë lënë të lirë? Pse policia nuk mori parasysh kallëzimin e Bushatit, ku me video doli se iu bë një atentat, por nuk përfundoi sepse nuk shkrepi arma. Dhe vijmë në një histori të paralajmëruar në Shkodër ku veç përplasjes së grupeve kriminale, kemi dhe dy viktima të pafajshme”, tha ai.