Negociatat me Shqipërinë, Brukseli jep ‘OK’ për hapjen e një tjetër grup-kapitujsh
Presidenca hungareze njofton se Coreper ka miratuar nisjen e procedurave për hapjen e një tjetër grup-kapitujsh (Cluster 6), që kanë të bëjë me politikën e jashtme të Shqipërisë. Coreper është komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare, pra ambasadorët që secili vend dërgon në Bruksel.
Në mbledhjen e sotme të Coreper, Ambasadorët ranë dakord t’i kërkojnë Shqipërisë të ndajë me vendet anëtare pozicionin e saj negociues në lidhje me grup-kapitujt 6, Politika e Jashtme. Në të njëjtën kohë, Këshilli Europian do të punojë për të paraqitur pozicionin e vet të përbashkët, me qëllim që të përgatitet Konferenca e përbashkët ndërqeveritare (IGC) me Shqipërinë. Tirana zyrtare shpreson që kjo tryezë të mbahet në dhjetor në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat e anëtarësimit edhe për këtë grup-kapitujsh.
Më 15 tetor Shqipëria nisi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me grup-kapitujt e parë të cilësuar si Themelorët, të cilët janë të parët që hapen dhe të fundit që mbyllen. Progresi me këto kapituj përcakton edhe ritmin e hapjes së grup-kapitujve të tjerë.
/a.r