Zbërthimi i SkyEcc/ Tentoi eliminimin e Albin Kurtit, kush është snapjeristi nga Shkodra që kërkohet nga SPAK
Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka lëshuar 21 masa sigurie, ditën e djeshme (25 Nëntor), në kuadër të hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, ku përfshihen anëtarët e grupi kriminal, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.
Mes personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër arresti është snajperisti nga Shkodra, Prekë Kodra, i cili akuzohet se tentoi t’i bënte atentat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Plani për eliminimin e kreut të qeverisë së Kosovës u zbulua në një e-mail sekret, të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në shtator 2022. Të dhënat nga e-mailet drejtuar Gledis Nano (i cili mbante në atë kohë postin e kryepolicit) që u publikuan nga hakerat, zbuluan planin e dy personave nga Kosova dhe një tjetër nga Shqipëria për të vrarë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Sipas e-mailit thuhet se gjithçka duhej bërë për të sjellë destabilizim në të dyja vendet. Ai i është dërguar në vitin 2021 Gledis Nanos.
I dyshuar për atentatin është Prek Kodra nga Shkodra, i cili thuhet se ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Duke iu referuar informacioneve të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha.
Një muaj më pas thuhet se do të vritej Xhavit Haliti, që të dukej gjithçka si hakmarrje mes tyre. Ndërsa pas tyre do të vritej kryeministri Albin Kurti, për të destabilizuar Kosovën. Këto tre vrasje ishin planifikuar të kryheshin në harkun kohor të tre muajve të ardhshëm që nga hartimi i planit.
Pas publikimit në media të të dhënave të marra nga e-mailet drejtuar ish-kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, reagoi në atë kohë edhe zyra e shtypit e Kurtit.
Sipas tyre, për atentatin e planifikuar ndaj Albin Kurtit një vit më parë, kreu i qeverisë së Kosovës është njoftuar nga autoritetet, të cilat kanë marrë menjëherë masa.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thuhet në reagim.
Prek Kodra dyshohet i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Kosovë dhe Mal të Zi. Kodra rezulton me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.
Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.
Prek Kodra: Po më merrni në qafë mua dhe familjen.
Në një reagim, më 21 Shtator 2022, Prek Kodra i ka hedhur poshtë këto akuza duke i konsideruar “shpikje”. Ai tregoi se për këtë informacion ishte njoftuar nga një i afërm i tij nga Gjermania.
Pyetje: Emri juaj ka qenë pjesë e të gjitha gazetave, si pjesë e një plani për të vrarë kryeministrin Kurti, çfarë keni për të thënë për këtë?
Prek Kodra: Ça të shpjegoj, vetëm po shpika diçka sikur kanë shpikur persona të paidentifikuar për mua. Albin Kurtin e njoh vetëm prej televizionit. Më keni akuzuar dhe po më merrni më qafë mua dhe familjen time. Për herë të parë, paradite rreth orës 11 kam qenë në Shkodër në kafe dhe dikush më ka telefonuar nga Gjermania dhe më thotë a je duke i parë lajmet dhe më ka nisur linkun. E kam parë linkun dhe pashë një gjë që se kisha imagjinuar kurrë në jetën time.
Ai ka treguar gjithashtu se e kanë ndaluar në Kosovë kur ka shkuar për të blerë një makinë dhe nuk i kanë treguar arsyet pse po e mbanin prej orësh.
Prek Kodra: Më kanë ndaluar në Kosovë para një viti në doganë, më 24 nëntor nëse nuk gaboj. Isha duke shkuar në Kosovë për të blerë një kamionçinë. Kur më kanë ndaluar kam qenë me makinën e vajzës time për të blerë një kamionçinë për firmën time. Kur kam shkuar në doganë më kanë ndaluar dhe më kanë mbajtur nga ora 2 e pasdites deri në orën 11 në darkë pa më thënë pse më kanë ndaluar. Në doganë më kanë arrestuar. Kisha 15 mijë euro me vete.
Pyetje: Ku të kanë marrë në pyetje?
Prekë Kodra: Më kanë çuar në Prishtinë dhe më kanë marrë në pyetje nga Departamenti i Krimeve të rënda. Nuk e dija pse po më ndodhte ajo gjë. Kur më thanë që dyshohesh për falsifikim parash por unë isha i sigurt sepse i kisha marrë te firma ime.