Ethet e ‘Luftës së Ftohtë’, Gjermania do të kthejë bodrumet dhe garazhet e shtëpive në strehimore

Tensioni me Rusinë duket se po çon Gjermaninë në përgatitje për luftë. Shteti që ka 84 milionë banorë, ka strehimore të nëndheshme për vetëm 480.000 qytetarë.

Për këtë arsye Ministria e Brendshme njoftoi këtë të hënë se Gjermania po harton një listë të strehimoreve që qytetarët mund t’i përdorin në raste urgjente.

Lista do të përfshijë stacionet e trenave nëntokësore dhe parkingjet e makinave, si dhe ndërtesat qeveritare dhe pronat private.

Gjithashtu do të përpilohet një rrjetë dixhitale e strehimoreve emergjente në mënyrë që qytetarët t’i gjejnë ato sa më shpejt duke përdorur një aplikacion të telefonit celular.

Qytetarët do të inkurajohen gjithashtu që të krijojnë strehimore në shtëpitë e tyre duke rindërtuar bodrumet dhe garazhet.

Zëdhënësi i ministrisë nuk pranoi të jepte një plan kohor, duke thënë se ishte një projekt i madh që do të merrte pak kohë dhe do të përfshinte Zyrën e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës ndaj Fatkeqësive dhe autoritete të tjera shtetërore.

Pikat kryesore të planit u dakordësuan në një konferencë të zyrtarëve të lartë në verë dhe tani po shqyrtohen nga një grup pune.

Gjermania, siç raportohet nga AFP ka 579 strehimore për 84 milionë banorët e saj. Ato janë të epokës së Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë. Në të kaluarën, vendi kishte rreth 2000 strehimore.

Back to top button