“Serbia po kopjon Rusinë”, Kurti bën analogji me sulmet mbi Ukrainë: Gjetëm emblema ruse

Pas daljes për mediat serbe të presidentit Aleksandar Vuçiç, nuk ka vonuar edhe kundërpërgjigja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Së bashku me ministren e Ekonomisë, ai ka vijuar të tregojë detaje të reja nga sulmi mbi ujësjellësin. Sipas Kurtit, ky sulm terrorist është i ngjashëm me skenarin që përdori Rusia në fillim të agresionit mbi Ukrainë.

“Serbia po i kopjon metodat ruse për të kërcënuar rajonin tonë, por edhe kjo do të dështojë pasi jemi mbështetur në vlerat demokratike perëndimore”, tha Kurti.

Edhe gjetja e simboleve të ushtrisë ruse e forcon idenë, sipas Kurtit, se Serbia po i kopjon metodat ruse për ta dëmtuar Kosovën. Nëse akti do të ishte realizuar plotësisht dëmi do të ishte shumë i madh për ekonominë dhe energjetikën, shtoi ai.

“Pesha e pasojave të këtij sulmi, po të arrinte qëllimin e tij, do të ishte marramendëse. Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën e Kosovës. Ky do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të prodhimit të energjisë nga Termocentrali Kosova B. Më tej, do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë”, u shpreh Kurti.

/a.r

Back to top button