Gjysmë paqeje në Lindjen e Mesme, Netanjahu “si Millosheviçi”
Flamuri i bardhë i paqes është ngritur në Lindjen e Mesme, edhe pse vetëm për dy muaj.
Ushtria izraelite dhe militantët e Hezbollahut ulën armët më në fund, duke lejuar që civilët të rifitojnë paqen si në Liban, ashtu edhe në Izraelin verior. Për 60 ditë me radhë, palët janë pajtuar për një armëpushim, që parashikohet të jetë baza për një kthim të përhershëm në jetën normale. Por a është ky vërtet fillimi i një paqeje të qëndrueshme, apo vetëm një ndërprerje e përkohshme e luftimeve, me shtetin hebre që synon të fitojë kohë për të rivlerësuar situatën? Dhe, mbi të gjitha, a ka ndonjë shans që ky armëpushim të shndërrohet në një bashkëjetesë afatgjatë midis dy palëve që historikisht kanë qenë në konflikt të ashpër?
Dita e re agoi në Liban… hera e parë që prej mesit të shtatorit pa asnjë të shtënë arme apo shpërthim rakete në horizont… Kjo falë nisjes së respektimit të armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut, të negociuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke nisur nga e mërkura e 27 nëntorit dhe për 60 ditë me radhë, të dyja palët kanë kushte për të përmbushur: Izraeli duhet të nisë tërheqjen graduale të ushtarëve nga toka e Libanit, ndërsa militantët e Hezbollahut duhet të largohen nga veriu deri në një rreze ku nuk mund të godasin Izraelin me raketa apo armë të tjera. Ushtria e Libanit duhet të lëvizë për në ato zona dhe ka përgjegjësinë për të patrulluar dhe garantuar që Hezbollahu nuk po shkel kushtet e armëpushimit.
“Me të vërtetë që sot është një ditë e re, duke përmbyllur një nga fazat më të vështira të vuajtjes që populli i Libanit ka përjetuar në historinë moderne. Në këtë ditë, nis udhëtimi për të rindërtuar atë që është shkatërruar dhe për të përfunduar fuqizimin e rolit të ligjshmërisë së institucioneve, në ballë të së cilës është ushtria. Mbit ë ne vendosim shpresat e mëdha të shtrirjes së autoritetit të shtetit mbi të gjithë kombin dhe fuqizuar praninë tonë në jugun e lënduar. Mjaft më me luftra, tragjedi dhe shkatërrim”, tha Najib Mikati, Kryeministër i Libanit.
“Kohëzgjatja e armëpushimit varet nga ajo që ndodh në Liban. Në bashkëpunim të plotë me Shtetet e Bashkuara, ne ruajmë lirinë e plotë ushtarake të veprimit. Nëse Hezbollahu do ta shkelë marrëveshjen ose të përpiqet të riarmatoset, do të godasim. Do të reagojmë me forcë ndaj çdo shkeljeje. Armëpushimin e bëmë për tre arsye kryesore: e para është që të fokusohemi në kërcnëimin Iranian. Arsyeja e dytë është që t’u japim forcave tona një frymëmarrje dhe që grumbullojmë furnizime. Nuk është një sekret që kemi patur vonesa në marrjen e armëve dhe municioneve. Arsyeja e tretë që kemi këtë armëpushim është që të ndajmë frontet dhe izolojmë Hamasin. Me Hezbollahut jashtë panoramës, Hamasi është i vetëm në betejë”, tha Netanyahu.
“Shtetet e Bashkuara, me mbështetjen e plotë të Francës dhe aleatëve tanë të tjerë, janë zotuar të punojnë me Izraelin dhe Libanin për të siguruar që kjo marrëveshje të zbatohet plotësisht. Nuk do të ketë trupa amerikane të dislokuara në Libanin jugor. Kjo është në përputhje me angazhimin tim ndaj popullit amerikan për të mos futur trupat amerikane në luftime në këtë konflikt, në vend të kësaj, ne, së bashku me Francën dhe të tjerët, do të ofrojmë ndihmën e nevojshme për t’u siguruar që kjo marrëveshje të zbatohet plotësisht dhe në mënyrë efektive”, tha Joe Biden | President i SHBA.
“Ky armëpushim duhet të respektohet, në afatgjatë, në mënyrë që të rikthehet siguria për popullin e Libanit, dhe njerëzit e Izraelit, për të mundësuar kthimin e sigurtë të personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në të dyja këto shtete dhe gjithashtu që të lejohet kthimi i sovranitetit të Libanit. Kjo marrëveshje e firmosur duhet të hapë një kapitull të ri për Libanin. Ndalimi i luftimeve hap një mundësi që Libani, bashkë me partnerët e tij, të nisë rimëkëmbjen e vendit”, tha Macron.
E në fakt njerëzit kanë nisur që të kthehen për në shtëpitë e tyre, si në Libanin jugor, ashtu edhe në Izraelin verior… përballë shkatërrimit, shumë gjejnë ngushillim në përqafimin e njerëzve të dashur, me të cilët u ndanë kohë më parë kur ushtria e shtetit hebre nisi një inkursion tokësor… që prej mesit të shtatorit raportohet se mbi 3100 persona janë vrarë në Liban.
“Në fakt kam shumë shpresë se do të shkojë përtej 60 ditëve. Dhe unë përgëzoj administratën e Biden për këtë. Kjo ka qenë ajo që unë kam biseduar me disa udhëheqës të komunitetit tonë të inteligjencës… ky është një lajm i mirë për popullin libanez që dëshiron paqe. Është gjithashtu padyshim një lajm i mirë për izraelitët që duan të kthehen në shtëpitë e tyre në veri. Unë gjithashtu mendoj se kjo tani dëmton edhe më tej Hamasin. Izraeli ka rrënuar lidershipin e Hamasit. Ne duhet t’i japim fund konfliktit edhe në Gaza, jo vetëm për numrin, padyshim, të madh të viktimave palestineze, por edhe për faktin që ato familje mund të bashkohen sërish. Ka një moment që pengjet mund të kthehet. Shpresoj që qeveria e Netanjahut të përfitojë nga kjo situatë për të lëvizur gjithashtu drejt një armëpushimi në Gaza në këmbim të atyre pengjeve”, tha Mark Warner | Senator në SHBA.
Dita e mirë që agoi në Liban solli disa rreze shprese edhe për palestinezët në Rripin e Gazës. Hamasi ka shprehur gatishmërinë për të vulosur një armëpushim në enklavë, një zhvillim që nëse ndodh mund të kthejë paqen shumë të kërkuar në Lindjen e Mesme. E në fakt, kjo lëvizje ka ngritur shpresën për një periudhë të re qetësie në territorin palestinez, ku vite të tëra luftimesh kanë shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzore dhe dëme të jashtëzakonshme materiale. Por pyetja kryesore është: a mundet që palët të ulin armët, qoftë edhe përkohësisht, për të lejuar ndihmat humanitare të futen? Dhe cilët janë aktorët që mund të ndërmjetësojnë këtë proces delikat? Dhe mbi të gjitha me çfarë kushtesh mund të negociohet me Izraelin, përtej lirimit të pengjeve që mbahen nga Hamasi në tunelet nëntokësore?
“Jemi të kënaqur me marrëveshjen për armëpushim mes Izraelit dhe Libanit, që hyri në fuqi. Presim që të gjitha palët, veçanërisht Izraelit, që të përmbushë plotësisht përgjegjësitë e marra përsipër duke ruajtur qetësinë në terren. Si Turqi, ne jemi të gatshëm që të kontribuojmë në dhënien fund të masakrave në Gaza dhe për arritjen e një armëpushimi të gjatë”, tha Recep Tayyip Erdogan | President i Turqisë.
“Ashtu si populli i Libanit meriton të ardhmen me siguri dhe prosperitet, ashtu e meritojnë edhe njerëzit në Gaza. Ata meritojnë një përfundim të luftimeve dhe zhvendosjeve. Populli në Gaza ka kaluar përmes ferrit. Bota e tyre është shkatërruar plotësisht. Shumë civilë në Gaza kanë vuajtuar për kaq gjatë. Hamasi për muaj e muaj ka refuzuar të negociojë në mirëbesim një armëpushim dhe lirim të pengjeve. Tani Hamasi ka një zgjedhje për të bërë. E vetmja rrugëdalje e tyre është që të lirojnë pengjet, përfshirë shtetasit amerikanë. Gjatë procesit t’i jepet fund luftimeve, të cilat do të bëjnë të mundur futjen e ndihmave humanitare. Gjatë ditëve në vijim, Amerika do të bëjë një shtysë të re bashkë me Turqinë, Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe të tjerët për arritur një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve duke përfunduar luftën pas Hamasin në pushtet”, tha Biden.
Kur flasim për tokën e Palestinës, dhe veçanërisht për Rripin e Gazës, është e pamundur të mos përmendim bilancin tronditës të viktimave të shkaktuara nga lufta e ashpër mes Izraelit dhe Hamasit. Mbi 43 mijë njerëz janë vrarë, një pjesë e madhe prej tyre fëmijë dhe gra. Kjo tragjedi e vazhdueshme ka ndodhur ndërsa pjesa më e madhe e botës ka heshtur, ose ka mbyllur sytë përpara kësaj masakre njerëzore. Numrat flasin vetë. Familje të shkatërruara, jetët e fëmijëve të pafajshëm të këputura përpara kohe, dhe një popullsi civile e goditur në çdo hap. Ndërkohë, përpjekjet ndërkombëtare për të ndërhyrë në këtë situatë mbeten të zbehta. Në një përpjekje për të sjellë përgjegjësi, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, gjithashtu edhe për liderin e Hamasit, Ibrahim Al-Masri. Ata akuzohen për krime lufte, në lidhje me operacionet ushtarake që kanë shkaktuar kaq shumë viktima civile në Gaza. Por pyetja e madhe që shtrohet është: a ka gjasa që këta zyrtarë të nivelit të lartë të Izraelit të arrestohen dhe të gjykohen nga drejtësia ndërkombëtare?
“Ky është një veprim antisemit që ka vetëm një qëllim: të më ndalojë mua dhe ne që të ushtrojmë të drejtën tonë natyrale për tu mbrojtur kundër armiqve që ngrihet për të na shkatërruar. Akuzojnë shtetin e Izraelit për ‘gjenocid’ ndërsa mbrohet ndaj armiqve që po përpiqet të kryejë gjenocid kundër nesh. Kjo është një ditë e zezë në histori”, tha Netanyahu.
“Nuk ka asgjë në të drejtën penale ndërkombëtare që thotë se duhet të presësh derisa të përfundojë lufta dhe pastaj mund të fillosh një hetim ose të fillosh një gjyq. Megjithatë mund të marrim shembin e Millosheviçit, një kryetar shteti që kërkohej nga një gjykatë ndërkombëtare, por që nuk kishte mjaftueshëm mbështetje nga një ushtri për të shkuar atje dhe për ta arrestuar atë. Ai është imuni. Është thjeshtë një letër. Prandaj zakonisht ndodh me një ndryshim qeveritar dhe kreun e shtetit. Ajo ndodhi në JUgosllavi dhe Serbia. Tani mund të kuptoj pse njerëzit dyshojnë se e njëjta gjë do të ndodhë për Izraelin. Nuk e di për Hamasin”, u shpreh Jens Iverson | Qëndra Ligjore Grotius.
“Një urdhërarrest thjesht nënkupton se gjykatësit kanë gjetur prova mjaftueshëm për të përcaktuar atë që në e quajmë bazë të arsyeshme për të besuar se një i dyshuar është përgjegjës për krime që bien nën juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Janë hapat e para në fazat paraprake të një çështjeje. Nuk është një gjykim. Ai vjen vetëm nëse ka një gjyq dhe më pas vendim. Hapat e radhës pas urdhërarrestit është kërkimi i bashkëpunimit nga shtetet. Vendet që janë pjesë e Statutit të Romës e kanë detyrim që të bashkëpunojnë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Shtetet që nuk janë pjesë e Statutit mund të bashkëpunojnë vullnetarisht nëse dëshirojnë”, tha Fadi El Abdallah | Zëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Pas lëshimit të urdhërarrestit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, shumë kanë filluar të spekulojnë se ai mund të ketë të njëjtin fund si liderë të tjerë të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit, si Slobodan Millosheviç. Por ky urdhërarrest ka shkaktuar valë tronditjeje në arenën ndërkombëtare, veçanërisht midis aleatëve kryesorë të Izraelit. Shtetet e Bashkuara i kanë garantuar mbrojtje Netanjahut, madje paralajmëruar vendet që do të zbatonin urdhërarrestin me saknsione. Në anën tjetër, vende që janë pjesë e Statutit të Romës, kanë konfirmuar se do ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare, por ka dhe nga ata që kanë treguar rezerva. Irani nga ana tjetër, një kundërshtar i Izraelit në Lindjen e Mesme, vlerëson se vetëm urdhërarresti nuk mjafton dhe kërkon që kryeministri Netanjahu të dënohet me vdekje për të shlyer, sipas Teheranit, krimet ndaj palestinezëve.
Në mes të masakrave dhe shkatërrimit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, bota kërkon me dëshpërim një zgjidhje paqësore. Veçanërisht populli palestinez, i cili prej dekadash ka përjetuar vuajtje të paimagjinueshme, ëndërron për paqen absolute. Por ndërkohë që kërkohet paqja, tensionet në rajon vazhdojnë të rriten. Irani ka paralajmëruar një hakmarrje të ashpër ndaj Izraelit pas sulmit të fundit nga shteti hebre. Kjo kërcënim vjen në një kohë kur rajoni është në një situatë kritike, dhe konflikti midis Izraelit dhe Iranit mbetet një nga faktorët kryesorë që pengon stabilitetin në Lindjen e Mesme. Por pyetja kryesore që mbetet është: si bëhet paqe për të gjithë në Lindjen e Mesme?
“Mora një shenjë të mbarë, do të thosha rrezen e parë të shpresës për paqen që mora mes errësirës së muajve të fundit. E mora në Portugali dhe ishte marrëveshja për armëpushim në lidhje me Libanin dhe kjo përbën një moment me rëndësi të madhe, veçanërisht për civilët, që paguanin një çmim të madh për faktin se ky konflikt jo vetëm po zvarritej, por po merrte dimensione gjithnjë e më shqetësuese”, tha Antonio Guterres | Sekretar i Përgjithshëm i OKB.
“Biem në gjumë me shpresën se do të zgjohemi me një armëpushim. Shpresoj për një armëpushim siç ndodhi në Liban. Do të linim gjithçka, vetëm dua të marr fëmijët e mi të shohin tokën time, shtëpinë time, të shohin se çfarë na kanë bërë. Unë dua të jetoj në siguri, në dashtë Zoti do të kemi një armëpushim”, tha Amal Ebu Hmeid | Palestinez i Zhvendosur.