Qeveria Hoti/ VV-ja paralajmëron protesta: Po bëhen të pashmangshme
Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë se në vend nuk ka zgjidhje tejtër përvecc protestave, ndërsa nesër në parlament do të votohet qeveria Hoti.
“Protestat po bëhen të pashmangshme. Megjithatë, LVV nuk do të organizojë protestë nesër. Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën formimit të Qeverisë Hoti, duke shpallur kushtetues dekretin e presidentit Thaçi për mandatimin e tij.
LVV-ja lajmëroi se nuk do të ketë protesta të mërkurën, kur pritet votimi i Qeverisë Hoti në Kuvend.
Pas mbledhjes së kryesisë, VV-ja ka thënë se aty u kritikua ashpër aktgjykimi i fundit i Kushtetueses.
Sipas VV-së, ky vendim e ka vulosur gjykatën si të kapur, “madje edhe më fort se shteti ynë në përgjithësi”.
“Përjashtimi edhe i zgjedhjeve edhe i fituesit është i pashembullt dhe e bën këtë Aktgjykim të padrejtë e të papranueshëm”, thuhet në njoftim.
Sipas VV-së, peticioni i nisur “Duam Zgjedhje!” do të thyejë të gjitha rekordet duke u bërë peticioni më i madh deri tash në Kosovë.
Vetëvendosje ka thënë se është kundër tentimit për formimin e qeverisë së re.
Sipas kësaj partie, kjo do të ishte qeveri e presidentit.
“U kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër. Kjo qeveri do të ishte qeveri e presidentit. Ajo nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe. Asisoj, negociatat brenda-qeveritare të saj do të bëheshin negociata ndër-shtetërore me Serbinë”, thuhet në njoftim.